Një zjarr masiv ka përfshirë disa lokale në parkun e pishave në Sllatinë të Madhe, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Fatmirësisht, nuk janë raportuar viktima në njerëz, ndërsa autoritetet e sigurisë janë duke qëndruar në vendin e ngjarjes për të siguruar perimetrin dhe për të shmangur çdo incident të mëtejshëm.
Zjarrfikësit kanë arritur në vendin e ngjarjes menjëherë pas raportimit të flakëve dhe janë angazhuar intensivisht për të vënë nën kontroll situatën.
Edhe pse zjarri është neutralizuar, lokalet e përfshira kanë pësuar dëme të mëdha, dhe pritet të kryhen vlerësime të hollësishme për të përcaktuar përmasat e dëmit.
Njëri nga pronarët e lokaleve të prekura, i cili ishte në vendngjarje, u shpreh për mediat se ai ende nuk ka informacion se si ka shpërthyer zjarri dhe se është në pritje të një versioni zyrtar nga institucionet përgjegjëse.
“Nuk e dimë çfarë e shkaktoi zjarrin. Po presim që institucionet të na japin një version të qartë se çfarë ka ndodhur,” tha pronari.
Policia dhe ekipet e zjarrfikësve po vazhdojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet e mundshme të këtij incidenti, ndërsa zona përreth mbetet nën mbikëqyrje për të garantuar sigurinë e plotë të qytetarëve. /Gazetaexpose.com/