spot_img
-0.1 C
Pristina
21/11/2024

Praktikë gazetareske/Studentët e Media dhe Komunikimit në UBT vizitojnë bibliotekën, radion dhe shtypshkronjën

Në kuadër të një serie vizitash studimore, studentët e vitit të parë të degës Media dhe Komunikim në UBT, patën mundësinë të vizitojnë disa prej objekteve më të rëndësishme të kampusit, të cilat lidhen ngushtë me mediat dhe praktikën gazetareske.

Vizitat e realizuara këtë javë përfshinë Radio Kampusin, Media Grupin, Bibliotekën dhe Shtypshkronjën e kampusit, shkruan nzoom.biz.


“Po i realizojmë ëndrrat tona sepse kështu e kam dashur gazetarinë që nga fillimi, duke shijuar edhe pjesën praktike”, thonë Dea Gashi e Diellza Beka.

Në kuadër të vizitave edhe njohëse dhe studimore për studentët e të gjitha viteve të Media dhe Komunikimit, të premten është realizuar vizita në dy mekanizma të rëndësishëm që posedon kampusi i UBT-së.

Studentët e vitit të parë të drejtimit Media dhe Komunikim, pasi kanë përjetuar atmosferën në “Radio Kampus”,“Media Grupin”, ku punohet me shumë entuziazëm e përkushtim të pashoq, sepse aty përjetohet lajmi, kronika, dhe gjithçka që duhet të dijnë e kuptojnë studentët për format e komunikimit, të premten ndërkaq kanë realizuar edhe një vizitë tjetër.

Këtë herë ata patën mundësi të shohin nga afër shtypshkronjën dhe bibliotekën.

Aty i priti stafi i mrekullueshëm i UBT-së, të cilët nuk hezituan të ju shpjegonin më në detaje punën që zhvillohet, në këto dy vende kaq me rëndësi.

Si fillim, studentët u interesuan në lidhje me bibliotekën si një vend me vlerë të madhe, ku ata ku kanë rastin që të huazojnë libra të cilët lidhen me gazetarinë dhe me komunikimin në përgjithësi.

Mentorja dhe shoqëruesja e vizitave studimore, Albina Zeneli u shpreh se do të jetë një nder i madh të jetë pranë këtyre vajzave të reja, që duan të futen në botën e mediave, dikush në ekran, dikush në radio e dikush në portal.

“Unë si gazetare prej 10 vitesh do të bëj maksimumin që studentëve të mos u mungoj ana praktike, duke e ditur vlerën që ky profesion ka. Nuk thuhet më kot që media është pushteti i katërt dhe se fuqia që ajo ka është e mahnitshme. Andaj, bashkë me UBT do të angazhohem në transmetimin e informacioneve jo vetëm si leksione, por dhe në praktikë ku secili student do të provoj zërin në radio, shkrimin në portal si dhe prezantimin në emision, që kështu ato do të kenë një nivel krejt tjetër për këto drejtime duke u bërë shumë shpejt të zonjat në këtë “zanat”, u shpreh mes tjerash Albina.

Studentet gjithashtu ishin të kënaqura me këtë vizitë sepse ato po e përjetojnë në praktikë gazetarinë, që ato e kanë ëndërruar.

Dea Gashi tha se ndihet mirë kur sheh që UBT ka arritur të ketë gjithë këtë pasuri praktike për studentet e media dhe komunikimit.

“Kjo për mua është vërtet një freski dhe një realizim i gazetarisë praktike. Krahas mësimit e ligjëratave këto vizita edhe na freskojë, edhe na ofrojnë njohuri bazike mbi historinë e gazetarisë”, tha Gashi.

Diellza Beka ndërkaq mendon se vizitat studimore i japin kuptim edhe dëshirës së madhe që të jemi pjesë e UBT-së.

“Po befasohem për të mirë kur shoh gjithë këtë pasuri dhe teknikë moderne që posedon UBT dhe në veçanti Media dhe komunikimi. Jam shumë e gëzuar që kam rastin të vizitojë gjithë këto objekte vetëm brenda kampusit të UBT-së, dhe po na ndihmon shumë në përvetësimin e praktikës, në situatat e ndryshme të gazetarisë”, tha mes tjerash ajo.

Detaj parësor e kësaj vizite është fakti që UBT ka një vend të mjaftueshëm edhe për punimet që bëhen në këtë institucion duke filluar nga tavolinat, karriget dhe çdo gjë tjetër del nga kjo dhomë e rrëmujshme por mbi të gjitha e bukur.

Vendi i tretë që vizituan studentët e vitit të parë të drejtimit Media dhe Komunikim ishte dhe shtypshkronja ku nga atje na njoftuan më në vija të holla procedurën e një botimi.

Një detaj i rëndësishëm i këtyre vizitave ishte edhe mundësia për t’u njohur me mënyrën e punës dhe teknologjitë që përdoren në shtypshkronjën e UBT-së. Studentët patën mundësinë të njihen me procedurat e botimit të materialeve të ndryshme, nga gazeta dhe revista, deri te botimet akademike, siç janë librat e profesorëve të UBT-së.

Ky aktivitet është pjesë e angazhimit të fakultetit për të ofruar edukim të balancuar, ku teorikës i shtohet komponenti praktik, duke i mundësuar studentëve të zhvillojnë aftësitë dhe njohuritë e nevojshme për t’u bërë profesionistë të suksesshëm në fushën e mediave. /nzoom.biz/

 

LAJMET E FUNDIT
Related news