Edhe pse u shpall i pafajshëm për akuzat më të rënda, Sean “Diddy” Combs nuk do të lirohet me kusht.
Kjo u vendos nga gjykatësi federal Arun Subramanian më 2 korrik, vetëm pak orë pasi trupi gjykues e shpalli Diddy-in fajtor për dy akuza më të lehta, por të pafajshëm nga akuzat për trafikim seksual dhe krim të organizuar.
Gjykatësi argumentoi se avokatët e Diddy-t nuk arritën të tregojnë se ai “nuk përbën rrezik për askënd”, duke përmendur një incident të dhunshëm ndaj një gruaje në qershor 2024, kohë kur ai ishte nën hetim. Pavarësisht përpjekjeve të mbrojtjes për ta liruar me një garanci prej 1 milion dollarë (e mbështetur nga nëna, motra dhe ish-partnerja e tij), Diddy do të mbetet në paraburgim deri në dënimin përfundimtar më 3 tetor.
Nëse dënohet me maksimumin, ai mund të përballet me deri në 20 vite burg, nga 10 vite për secilën akuzë. Sipas avokatëve të tij, dënimi mund të variojë nga 21 deri në 27 muaj, ndërkohë që ai ka qëndruar tashmë 10 muaj në burg, në Brooklyn.
Gjatë gjyqit që zgjati 29 ditë, 34 dëshmitarë u thirrën, përfshirë emra si Kid Cudi dhe Dawn Richard, ndërsa dëshmitaret kryesore ishin ish-e dashura e tij Cassie Ventura, e cila ishte shtatzënë gjatë seancave, dhe një grua tjetër që dëshmoi nën pseudonimin “Jane”.
Të dyja dëshmuan për situata të ashtuquajtura “Freak Offs” ose “Hotel Nights”, që përfshinin akte seksuale të organizuara me punonjës seksi. Cassie pretendoi gjithashtu se Diddy e përdhunoi gjatë marrëdhënies së tyre 11-vjeçare.
Megjithëse gjykimi penal ka përfunduar, Diddy vazhdon të përballet me disa padi civile për abuzim seksual, të cilat ai i ka mohuar vazhdimisht.