Meriton Mjekiqi dhe vëllai i tij Rinor Mjekiqi janë arrestuar nga Policia e Kosovës dhe ndodhen në ndalim policor prej 48 orësh.
Lajmi u raportua fillimisht nga burime ekskluzive për “Sinjalin”, të cilat bënë me dije se arrestimi ka ndodhur dje, më 22 korrik 2025, në Stacionin Policor të Obiliqit, ku dy vëllezërit u paraqitën vullnetarisht dhe u intervistuan në prani të avokatëve të tyre.
Sipas informacionit të publikuar nga Klan Kosova kur u lajmërua se vëllezërit Mjekiqi ndodheshin nën kërkim, rasti lidhet me një përleshje fizike të ndodhur më 11 korrik, në të cilën viktima, një djalë 29-vjeçar, ka pësuar lëndime të rënda trupore.
Burime për “Pamfletin” treguan atëherë se Meritoni ndodhej jashtë Kosovës dhe Shqipërisë dhe se nuk kishte qenë në dijeni që ishte në kërkim nga autoritetet.
Në momentin që kishte dëgjuar lajmet, ai kishte shprehur se do të paraqitej vetë para autoriteteve, fjalë të cilën duket se e ka mbajtur.