Në një shoqëri që i jep vazhdimisht përparësi marrëdhënieve romantike, ku vlera e një gruaje matet shpesh nga fakti nëse ajo ka një partner apo ka ndërtuar një familje, miqësia mes grave shpesh mbetet në hije.
Megjithatë, pikërisht ajo është aty kur çdo gjë tjetër shembet. Është ajo që të mban në këmbë, kur ti vetë nuk ke forcë të ngrihesh. Është zëri që të thotë të vërtetën pa e ëmbëlsuar, me dashurinë dhe guximin që vetëm një mikeshë e vërtetë mund të ketë.
Nuk duhet shumë që dy gra të krijojnë një lidhje emocionale të thellë me njëra-tjetrën. Mjafton një bisedë e sinqertë, apo një përqafim i papritur. Miqësitë më të qëndrueshme shpesh lindin pikërisht në këto çaste të thjeshta.
Gratë kanë aftësinë ta shohin njëra-tjetrën përtej mburojave.
E dinë kur duhet të heshtin, kur të flasin, kur të të “hapin sytë” me fjalën e duhur dhe kur thjesht të të lënë të bësh atë që do, pa të gjykuar.
Prania e një mikeshë nuk është luks i jetës moderne. Është domosdoshmëri, shëruese.
Ato çaste kur qeshni derisa ju lotojnë sytë, kur njëra i thotë tjetrës “Të kuptoj”, kur dërgon një mesazh pa ndonjë arsye të veçantë, janë forma të pastër të dashurisë.
Kur je me fat që ke dikë të tillë në jetën tënde, kupton se dashuria nuk vjen me premtime apo puthje. Ndonjëherë, vjen me një dorë të zgjatur, një kafe të ngrohtë, një “jam këtu”.
Nëse je larguar nga një shoqe që dikur ishte si pjesë e shpirtit tënd, bëj hapin e parë. Thuaji që të mungon. Nëse ke dikë që ka qenë gjithmonë pranë, thuaji se sa shumë e vlerëson. Nëse ndihesh e vetmuar, jepi vetes lejen të hapesh e të njohësh një shoqe të re.
Nk majmë mend fjalët që janë thënë a ngjarjet që kanë ndodhur, por mbajmë mend si na bënë të ndihemi. Miqtë e vërtetë kanë një mënyrë të veçantë për të na bërë të ndihemi më pak të vetmuar, më të kuptuar, më njerëzorë dhe më të fortë.
Dashuria mes grave është formë e qetë, e thellë dhe e pathyeshme e përkatësisë. Kur gjërat bëhen të vështira, ajo është një nga gjërat më të shenjta që mund të kemi.
Shënim: Nëse keni një shoqe që doni të rifilloni miqësinë aty ku e keni lënë, nisini këtë artikull.