Instagram ka sjellë një funksion të ri që po tërheq vëmendjen e përdoruesve – opsionin “Repost”.
Me siguri keni vënë re opsionin e ri, që ndodhet në të njëjtin rresht me butonat Like dhe Share, poshtë çdo postimi, shkruan nzoom.biz.
Por, si funksionon ky opsion, ku mund ta gjeni dhe si ta çaktivizoni nëse nuk ju nevojitet?
“Repost” funksionon njësoj si në aplikacionet tjera për shpërndarje, mund të ripostoni postimet e preferuara e të shikoni çfarë kanë ripostuar miqtë tuaj.
Për të ripostuar një foto ose një Reels, klikoni në ikonën me dy shigjeta që formojnë një rreth, poshtë postimit. Mund të shtoni edhe një mesazh në ripostimin tuaj duke shkruar në flluskën që shfaqet në ekran dhe duke shtypur “Ruaj” (Save).
Nëse e keni ripostuar diçka gabimisht, ose ndryshoni mendje, mund ta anuloni duke shtypur sërish ikonën “Repost”. Ripostimet tuaja do të ruhen në një skedë të veçantë në profilin tuaj, mes skedave “Reels” dhe “Fotot ku jeni etiketuar” (Tagged Photos).
Ato do të mbajnë emrin e autorit origjinal, edhe kur shfaqen në profil, mund të ripostoni çdo përmbajtje në Instagram, për sa kohë që postimi vjen nga një llogari publike.
Përmbajtjet nga llogaritë private nuk mund të ripostohen, kur ripostoni do t’u rekomandohet ndjekësve në fidin e tyre. Kjo do të thotë që ripostimet e të tjerëve mund të shfaqen gjithashtu në fidin tuaj.
Si të çaktivizoni funksionin Repost?
Ndërsa nuk mund ta hiqni funksionin “Repost” nga Instagrami, mund të parandaloni që të tjerët të ripostojnë përmbajtjen tuaj.
Ripostimet e të tjerëve do të vazhdojnë të shfaqen në fidin tuaj.
Për të çaktivizuar mundësinë që të tjerët të ripostojnë fotot e Reels-et tuaja, ndiqni këta hapa:
Hyni në profilin tuaj duke klikuar foton e profilit në këndin e poshtëm djathtas.
Hapni “Menu” në këndin e sipërm djathtas.
Zgjidhni opsionin “Sharing” (Ndarja).
Çaktivizoni “Allow reposts” (Lejo ripostimin).
Në këtë mënyrë, ju ruani kontrollin mbi përmbajtjen që ndani e ndaloni ripostimet e tyre nga të tjerët. /nzoom.biz/