Shumë njerëz e kanë zakon të rregullojnë shtratin sapo ngrihen në mëngjes. Thuhet shpesh që kjo ndihmon për të nisur ditën me energji dhe ka ndikim pozitiv në shëndetin mendor.
Por, duket se ta rregullosh shtratin menjëherë nuk është aq ide e mirë sa mendohet. Në fakt, për ata që nuk e bëjnë këtë zakonisht, duket se janë duke vepruar drejt.
Sipas një ekspertje të pastrimit nga revista Good Housekeeping, është më mirë të presësh pak para se ta rregullosh shtratin — dhe ka një arsye të fortë për këtë.
Gjatë natës, shumica prej nesh djersisin, dhe kjo bën që në çarçafë dhe jastëkë të grumbullohet lagështi. Nëse e rregullon shtratin menjëherë pasi ngrihesh, nuk i jep kohë atij të thahet dhe të ajroset.
Carolyn Forte, drejtoreshë e Institutit të Pastrimit në Good Housekeeping, shpjegon:
“Nëse djersitesh natën, atëherë në çarçafë ka lagështi e janë ende të ngrohtë nga trupi yt. Duhet t’u japësh kohë të thahen dhe të freskohen para se t’i mbulosh sërish”. Ajo shton se mikrobet, bakteret dhe marimangat e pluhurit shumohen shpejt në ambiente të ngrohta dhe të lagështa, ndaj është e rëndësishme të mos i mbyllësh menjëherë me jorganin.
Pra, çfarë duhet të bësh?
Kur zgjohesh, tërhiqi pak mbulesat, hiq jastëkët, dhe lëri çarçafët të marrin ajër. Më pas, mund të shkosh të pish kafen apo të hash mëngjes.
Pas 30 deri në 60 minuta, mund ta rregullosh shtratin si zakonisht. Nëse do të jesh i sigurt, preki çarçafët për të parë nëse janë tharë mirë.
Pra, të rregullosh shtratin çdo ditë është një zakon i mirë për organizimin dhe pastërtinë, por edhe më e rëndësishme është të lejosh shtratin të ajroset mirë çdo mëngjes.
Carolyn Forte shton gjithashtu se, pavarësisht çarçafëve që përdor apo si e bën shtratin, është thelbësore që herë pas here të pastrosh edhe dyshekun — me fshesë me korrent për të hequr pluhurin, me avull për të vrarë marimangat, dhe të pastroni njollat sipas nevojës.