Shumë përdorues të kondicionerëve nuk janë në dijeni se pajisja përmban funksion që ulë ndjeshëm konsumin e energjisë elektrike dhe eliminon lagështinë në shtëpi, bëhet fjalë për “Dry mode”, ose mënyrën e tharjes së ajrit.
Edhe pse zakonisht përdoret gjatë verës, ky funksion mund të jetë i dobishëm edhe në muajt e ftohtë, veçanërisht gjatë periudhës së dimrit, shkruan nzoom.biz.
Si funksionon “Dry mode”?
Ndryshe nga “Cool”, që ftoh ajrin në mënyrë intensive, “Dry mode” ka për qëllim të ulë nivelin e lagështisë në ambient. Në këtë mënyrë, kondicioneri aktivizon kompresorin në intervale të caktuara, ventilatori punon me shpejtësi minimale, duke tharë ajrin pa shpenzuar shumë energji.
Si ndihmon kundër lagështisë dhe mykut?
Gjatë vjeshtës, kur lagështia është e lartë e ngrohja ende nuk është ndezur, shumë banesa përballen me problemin e kondensimit dhe mykut, sidomos kur rrobat thahen brenda.
“Dry mode” është zgjidhja më e thjeshtë dhe efikase, duke ruajtur një nivel optimal lagështie mes 40% dhe 60%, kjo parandalon formimin e njollave të errëta në mure dhe erërat e pakëndshme në tekstile. Funksioni është i dobishëm në banjo, kuzhina dhe kënde të dhomave, ku lagështia grumbullohet më shpesh.
Kur dhe sa shpesh duhet përdorur?
Ekspertët rekomandojnë ta aktivizoni “Dry mode” për disa orë në ditë, veçanërisht kur ndjeni mungesë freskie, ajër të rëndë a shihni avull në dritare. Në verë përdoret në mbrëmje, në vjeshtë ditën, kur temperaturat janë të buta, por ajri është ende i lagësht.
Aleati i padukshëm i klimës së shëndetshme
Përveç kursimit të energjisë, përdorimi i “Dry mode” zgjat jetën e kondicionerit, pajisja punon me më pak ngarkesë mekanike dhe termike. Sipas Panasonic Air Quality Lab dhe Daikin Research Center, përdorimi i rregullt i këtij modaliteti ulë konsumin e energjisë deri në 30%, duke përmirësuar njëkohësisht cilësinë e ajrit të brendshëm.
Pra, nëse doni që shtëpia juaj të jetë e freskët, e thatë dhe pa myk, ndërsa faturat e energjisë të mbeten të ulëta, është momenti të gjeni “Dry” në telekomandë e t’i jepni shansin që meriton këtij funksioni shpesh të nënvlerësuar. /nzoom.biz/