Në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, institucione shëndetësore dhe profesionistë të fushës kanë theksuar rëndësinë e identifikimit të hershëm të kësaj sëmundjeje, duke bërë thirrje për kontrolle të rregullta dhe edukim shëndetësor në popullatë.
Drejtori i Klinikës së Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Ilir Kurtishi, ka deklaruar se gjatë këtij viti është regjistruar një numër i ngjashëm i rasteve të reja me vitin paraprak, ku në nëntëmujorin e parë të këtij viti janë 320 raste, njofton nzoom.biz.
Kurtishi, për KosovaPress-in ka theksuar se këtë vit janë identifikuar dhe trajtuar tre meshkuj në Klinikën e Onkologjisë.
“Këtë vit kemi regjistruar numër të njëjtë për nëntë muajt e vitit 2025, me vitin 2024, rreth 320-330 pacientë. Kemi një plato sa i përket incidencës të rasteve të reja të sëmundjes së kancerit të gjirit, vlen të theksohet se këtë vit kemi identifikuar dhe trajtuar tre meshkuj, të cilët kanë marrë trajtim onkologjik në klinikën tonë”, ka thënë Kurtishi.
Ai tha se diagnostikimi i hershëm luan rol në trajtimin e suksesshëm dhe rritjen e jetëgjatësisë te pacientët. Shqetësuese është edhe prekja e kancerit të gjirit në mosha më të reja. Kurtishi, ka thënë se tre vjetët e fundit, po prekën gratë nga mosha 40-50 vjeçare.
“Çelësi i trajtimit të suksesshëm i kësaj sëmundje është identifikimi i hershëm i sëmundjes sidomos në fazën zero apo një, ku jetëgjatësia e pacientëve është e madhe. Këta dy-tre vjetët e fundit kemi femra të atakuara me kancerin e gjirit, me numër më të lartë sesa viteve paraprake, nga mosha 40-50-vjeçare që është fenomen i ngjashëm me vendet e rajonit, sidomos me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Duhet të bëhet të ngulitet në kokë të kemi një edukim shëndetësor të mirëfilltë, që duhet të bëjmë kontroll të gjirit pa pas ndonjë shenjë apo ndryshim, por një kontroll kur gjiri është i pa sëmurë”, ka nënvizuar ai.
Ndërkohë, për raportimet mbi mungesën e terapisë imunologjike, Kurtishi ka sqaruar se furnizimi ka qenë i rregullt përveç një periudhe të shkurtër. Sipas tij, numri i pacientëve është në ngritje dhe se trajtimet me këtë terapi marrin kosto të lartë.
“Terapia imunologjike në Klinikën e Onkologjisë jepet për rastin të cilët kanë indikacion. Furnizimi ka qenë i rregullt përpos një periudhe shumë të shkurtër, por pacientët e marrin këtë terapi për një kohë të gjatë.. Numri i pacientëve është në ngritje, trajtimet me këtë terapi marrin kosto të lartë dhe numri i pacientëve që kanë nevojë për këtë terapi furnizohen dhe trajtohen në mënyrë të rregullt me këto barna”, ka thënë Kurtishi.
Ministria e Shëndetësisë, në një përgjigje me shkrim ka bërë të ditur se edhe këtë vit janë ndërmarrë një sërë aktivitetesh për vetëdijesim rreth kancerit të gjirit, përfshirë mamografinë falas dhe mamografinë mobile në komuna pa qasje në këtë shërbim.
“Ministria e Shëndetësisë, edhe këtë vit, në bashkëpunim me aktorët relevantë, ka ndërmarrë një sërë aktivitetesh që synojnë rritjen e ndërgjegjësimit mbi kancerin e gjirit. Një nga veprimet kryesore është ofrimi i mamografisë falas në të gjithë Kosovën. Për herë të parë vitin e kaluar, ky shërbim është realizuar edhe në komunat veriore. Duke qenë se diagnostikimi i hershëm është një nga faktorët kyç për trajtim më të suksesshëm dhe më të plotë, edhe këtë vit është organizuar mamografi mobil, i cili do të shërbejë në komunat ku mungon shërbimi i mamografisë. Gjithashtu, gjatë këtij muaji, IKShPK do të realizojë ligjërata informative dhe edukative për të rritur më shumë njohuri mbi këtë sëmundje”, ka thënë MSH-ja në një përgjigje me shkrim.
Ministria u bën thirrje grave që të konsultojnë faqet zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë dhe IKSHPK-së për kalendarin e mamografisë dhe të kryejnë mamografinë sipas indikacioneve mjekësore. /KosovaPress/nzoom.biz/