Sipas analizës së fundit të Football Observatory, Xherdan Shaqiri renditet ndër dhjetë futbollistët më të mirë në ligat kryesore evropiane për krijimin e rasteve për shënim.
Në “Chance Creation Index”, që mat aftësinë për të prodhuar raste të pastra goli, Shaqiri ka grumbulluar 91.5 pikë, duke u pozicionuar në vendin e tetë mes qindra futbollistëve të analizuar, shkruan nzoom.biz.
Indeksi llogaritet duke marrë parasysh pasimet që çojnë në goditje drejt portës, vlerën e pritshme të golit dhe pozicionin e mbrojtësve kundërshtar.
Vlerësimi më i lartë është 100 pikë, dhe Shaqiri e ka vendosur veten në elitën e krijuesve të rasteve, duke lënë pas lojtarë të kalibrit të Bernardo Silvës (Manchester City) dhe Cole Palmerit (Chelsea).
Në krye të listës qëndron Lamine Yamal i Barcelonës me 100 pikë, ndjekur nga Arda Guler (Real Madrid), Raphinha (Barcelona), Mohamed Salah (Liverpool) dhe Kevin De Bruyne (Manchester City/Napoli).
Falë formës së tij të lartë me FC Basel, Shaqiri tregon edhe në moshën 34-vjeçare klas të lartë teknik dhe ndikim të vazhdueshëm në fushë. /nzoom.biz/