spot_img
15.8 C
Pristina
21/10/2025

Japonia bën histori: Zgjedh për herë të parë një grua në postin e kryeministres

Në një moment historik për Japoninë patriarkale, Sanae Takaichi është zgjedhur sot si kryeministrja e parë femër e vendit, pasi parlamenti votoi për udhëheqësin e ri.

Takaichi, një konservatore e vendosur, vjen në krye të qeverisë në një periudhë të trazuar, me sfida ekonomike në rritje dhe klimë politike të përçarë e të bllokuar, shkruan nzoom.biz.

Zgjedhja e saj vjen pak ditë para vizitës së planifikuar të Donald Trump në Japoni, duke shtuar rëndësinë e momentit si brenda vendit ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.

Takaichi njihet për qëndrimet e saj të thella konservatore që kanë alarmuar pjesëtarët e partisë së saj. Ajo mbështet ndryshimin e kushtetutës paqësore të Japonisë, është vizitore e rregullt e një faltoreje të diskutueshme që përfshin emrat e të dënuarve për krime lufte gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Gjithashtu, ajo është kundër martesave të së njëjtës gjini e kundërshton nismën për t’u lejuar çifteve të martuara përdorimin e mbiemrave të ndryshëm, një çështje që po fiton gjithnjë e më shumë mbështetje publike në Japoni.

Pikëpamjet e saj të ashpra ndaj Kinës përkeqësojnë marrëdhëniet rajonale, brenda vendit ajo përballet me skepticizëm lidhur me propozimet ekonomike për rritje të shpenzimeve e ulje të taksave, në një kohë kur inflacioni dhe kostoja e jetesës kanë arritur nivele rekord.

Në fillim të tetorit, Takaichi u zgjodh udhëheqëse e Partisë Liberal Demokratike, parti konservatore, pavarësisht emrit të saj. Mundi kundërshtarët, duke sinjalizuar zhvendosje të partisë më në të djathtë, pas humbjeve në dy zgjedhjet e fundit parlamentare.

Megjithatë, rruga e saj drejt postit të kryeministres nuk ishte e thjeshtë. Pas skandalit të fondeve të fshehta që rrëzoi nga pushteti ish-kryeministrin Shigeru Ishiba, LDP humbi shumicën parlamentare si dhe aleatin e saj 26-vjeçar, partinë Komeito.

Për të siguruar një shumicë të re, LDP formoi një koalicion me partinë opozitare Nippon Ishin, e cila ndan disa nga vlerat të Takaichi, si kufizimet më të rrepta për emigracionin. Si pjesë e marrëveshjes, u ra dakord edhe për një ulje me 10% të numrit të deputetëve.

Tani, me 120 milionë qytetarë për t’u përgjigjur, Takaichi përballet me sfida të mëdha. Rritja e çmimeve të produkteve bazë siç është orizi, që ka gati dyfishuar çmimin nga viti i kaluar, do të jetë një nga çështjet më urgjente. Po ashtu, Japonia përballet me një normë të ulët lindshmërie, fuqi punëtore në rënie dhe një popullatë në plakje të vazhdueshme.

Shtimi i pakënaqësisë ndaj emigracionit masiv, tronditjet ekonomike të shkaktuara nga tarifat e papritura të administratës Trump dhe humbja e besimit të publikut ndaj LDP-së janë vetëm disa nga plagët që Takaichi do të duhet të shërojë.

Me Japoninë që ka pasur katër kryeministra në pesë vitet e fundit, Takaichi, që disa e quajnë “Zonja e Hekurt” e Japonisë, do të duhet të sjellë rezultate të shpejta nëse dëshiron të qëndrojë në pushtet më gjatë se paraardhësit e saj. /nzoom.biz/

spot_img
Related news