Këtë të diel, 26 tetor 2025, Kosova, Shqipëria dhe shumica e vendeve evropiane kaluan në orën dimërore.
Në orën 03:00 të mëngjesit, akrepat u kthyen një orë pas, duke bërë që ora të bëhet 02:00, shkruan nzoom.biz.
Kjo do të thotë se fituam një orë më shumë gjumë, por pasditet errësohen më herët. Ky ndryshim shënon përfundimin e periudhës së “Orës së Verës”, që nis në fund të marsit.
Qëllimi i sistemit është të shfrytëzohet më mirë drita natyrale e diellit dhe të kursehet energjia elektrike gjatë muajve të ftohtë.
Pse ndryshojmë orën?
Ideja u propozua për herë të parë në shekullin XIX, u zbatua gjatë Luftës së Parë Botërore, për të kursyer energji dhe karburant. Qëllimi ishte që njerëzit të përfitonin më shumë orë dritë natyrale gjatë ditës e të reduktonin përdorimin e ndriçimit artificial në mbrëmje.
Pse disa vende janë kundër ndërrimit të orës?
Edhe pse qëllimi fillestar ishte pozitiv, gjatë viteve të fundit ka shtuar debate për heqjen e këtij sistemi:
Ndikim në shëndet – Ndryshimi i orës ndikon në ritmin biologjik, duke shkaktuar lodhje, pagjumësi ose ankth. Studime tregojnë edhe rritje të lehtë të aksidenteve rrugore dhe problemeve kardiake në ditët pas ndërrimit.
Efekti minimal energjetik – Në epokën moderne, kursimi real i energjisë është shumë i vogël, pasi përdorimi i saj varet më shumë nga ngrohja, ftohja dhe teknologjia.
Përzierje në transport dhe ekonomi – Shkakton konfuzion në oraret e fluturimeve, transportit publik dhe aktivitetet ndërkombëtare.
Disa vende, si Rusia, Turqia dhe Bjellorusia, kanë hequr praktikën e përdorin një orë fikse gjatë vitit. Edhe Bashkimi Evropian ka diskutuar ndalimin e ndërrimit të orës; më 2019, Parlamenti Evropian votoi për këtë, por vendimi nuk u zbatuar për shkak të mungesës së koordinimit mes vendeve anëtare.
Çfarë do të ndryshojë për qytetarët?
Mbrëmjet do të errësohen më herët, rreth orës 17:00-17:30, mëngjeset do të jenë më të ndritshme. Ekspertët e gjumit këshillojnë që njerëzit të përshtatin gradualisht orarin e gjumit disa ditë përpara ndërrimit për të shmangur lodhjen.
Rekomandohet të kontrollohen orët manuale, pasi shumica e telefonave dhe kompjuterëve përditësohen automatikisht. /nzoom.biz/

