spot_img
10.1 C
Pristina
30/10/2025

Ëmbëlsuesit natyralë: A janë vërtet më të shëndetshëm se sheqeri?

Shumë njerëz përpiqen të ulin konsumin e sheqerit, por shpesh është e vështirë të heqin dorë nga ëmbëlsirat.

Një pyetje e zakonshme është nëse ëmbëltuesit “natyralë”, si mjalti, shurupi i panjës ose ai i agaves, janë më të shëndetshëm se sheqeri i bardhë, shkruan nzoom.biz.

Sipas ekspertëve të ushqyerjes, përgjigjja nuk është domosdoshmërisht “po”.

“Trupi nuk e dallon nëse sheqeri vjen nga mjalti, sheqeri i zakonshëm apo shurupi i agaves. Të gjithë përpunohen në të njëjtat molekula,” thotë Karen Della Corte, profesoreshë e shkencës ushqimore në Universitetin Brigham Young në Utah.

Pse sheqeri i tepërt është i dëmshëm?

Sheqeri në një mollë dhe ai në çokollatë përbëhen nga të njëjtat molekula, glukozë dhe fruktozë, por trupi i përpunon ndryshe në varësi të formës se si janë “paketuar” në ushqim.

“Kur konsumoni fruta ose perime të plota, fibra që ato përmbajnë ngadalëson tretjen dhe parandalon rritjen e menjëhershme të sheqerit në gjak,” shpjegon Kimber Stanhope, hulumtuese në Universitetin e Kalifornisë.

Në rastin e sheqernave të shtuar, si sheqeri i rafinuar ose shurupi me fruktozë, hyjnë shpejt në gjak, duke shkaktuar rritje të menjëhershme të nivelit të sheqerit. E njëjta gjë mund të ndodhë edhe me lëngjet e frutave, sepse gjatë përpunimit humbet fibra mbrojtëse.

Këto rritje të përsëritura mund të çojnë në rezistencë ndaj insulinës, e cila me kalimin e kohës mund të shkaktojë diabet tip 2. Sipas endokrinologut Robert Lustig, sheqeri i tepërt mund të shndërrohet në yndyrë në mëlçi, duke rritur rrezikun për sëmundje kronike të mëlçisë dhe madje për atak në zemër apo sulm në tru.

Për këtë arsye, autoritetet shëndetësore amerikane rekomandojnë jo më shumë se 50 gramë sheqer të shtuar në ditë, ndërsa Shoqata Amerikane e Zemrës vendos kufij më të rreptë: 36 gramë për burrat dhe 25 gramë për gratë.

A janë ëmbëlsuesit “natyralë” më të mirë?

Edhe pse mjalti, shurupi i panjës dhe ai i agaves shiten si alternativa më të shëndetshme, në fakt ato janë po ashtu sheqerna të shtuar dhe mund të jenë po aq të dëmshme kur konsumohen në sasi të mëdha.

“Shumica e studimeve që tregojnë përfitime nga këto ëmbëlsues janë financuar nga industria,” thekson Stanhope. Për shembull, një studim i vitit 2024 i financuar nga industria e shurupit të panjës pretendonte se ai ishte më i mirë për nivelin e sheqerit në gjak dhe shëndetin e zemrës sesa sheqeri i bardhë, por analiza ishte e diskutueshme e mund të ketë ekzagjeruar përfitimet.

Një studim më i vogël nga 2015, ku përfshiheshin 55 të rritur që konsumuan çdo ditë për dy javë 50 gramë sheqer në formë mjalti, sheqeri i bardhë ose shurupi me fruktozë të lartë, tregoi se nuk pati ndryshim në nivelet e sheqerit në gjak, yndyrës së dëmshme apo inflamacionit.

“Studimi sugjeron se mjalti nuk është as më i mirë, as më i keq se sheqeri i zakonshëm,” përfundon Stanhope.

Po ëmbëltuesit artificialë?

Për ëmbëltuesit pa kalori, si aspartami, sukraloza ose ata me bazë bimore si stevia dhe monk fruit, kërkimet janë ende të paqarta. Shkencëtarët po studiojnë nëse mund të ndikojnë negativisht në metabolizëm ose mikrobet e zorrëve.

Kur keni dëshirë për diçka të ëmbël, zgjidhni fruta si boronicat, mollët ose patatet e ëmbla të pjekura. Nëse kjo nuk mjafton, pak sheqer, si një lugë mjaltë mbi disa copa mollë, është e pranueshme. Edhe çokollata e zezë mund të jetë zgjedhje më e mirë, pasi përmban më pak sheqer të shtuar sesa çokollata e qumështit. /nzoom.biz/

spot_img
Related news