spot_img
8.3 C
Pristina
07/11/2025

Publikohet traileri i parë i filmit për Michael Jacksonin

Është publikuar traileri i parë i filmit biografik për Michael Jacksonin, i titulluar “Michael”, projekt që ka ngjallur shumë debat që nga fillimi i tij.

Filmi, i cili tregon jetën e mbretit të popit, do ta ketë në rolin kryesor nipin e tij të vërtetë, këngëtarin Jaafar Jackson, ndërsa aktori Colman Domingo, i nominuar për çmimin “Oscar”, luan rolin e babait të tij, Joe Jackson, shkruan nzoom.biz.

Në kast përfshihen edhe aktorë të tjerë si Miles Teller, Nia Long dhe Laura Harrier.

“Michael” vjen nga regjisori i njohur Antoine Fuqua, i cili zakonisht njihet për filma aksion dhe triller si “Training Day”, “The Equalizer” dhe “Olympus Has Fallen”. Skenari është shkruar nga John Logan, i nominuar për çmim “Oscar” për filmat “Gladiator”, “The Aviator” dhe “Hugo”.

Xhirimet përfunduan në muajin maj të vitit 2024 dhe filmi ishte planifikuar të shfaqej në muajin prill të vitit 2025, por u shty fillimisht për në muajin tetor dhe më pas për në prill 2026, pasi u deshën disa rixhirime. Kishte madje raportime se projekti do të ndahej në dy pjesë, por traileri i ri tregon se filmi do të dalë si një tërësi.

Producenti britanik ,Graham King, ka thënë se qëllimi i filmit është të tregojë jetën e Jacksonit pa paragjykime, por edhe pa e fshehur kompleksitetin e tij.

“Jeta e Michaelit ishte e ndërlikuar. Si filmbërës, unë dua ta humanizoj, por jo ta pastroj. Dua të tregoj historinë më bindëse dhe të paanshme që mund të kap në një film të vetëm, dhe ta lë publikun të vendosë vetë si të ndihet pas shikimit. Michael mbetet një artist me ndikim dhe me një trashëgimi që ia vlen të eksplorohet”, ka thënë King.

Por jo të gjithë janë dakord me këtë qasje.

Akuzat për sulme seksuale ndaj Jackson u rikthyen në qendër të vëmendjes me dokumentarin e vitit 2019, nga regjisori Dan Reed, “Leaving Neverland”, i cili përfshinte intervista me dy persona që pretendonin se këngëtari i kishte abuzuar në fëmijëri. Thuhet se Reed ka lexuar një version të skenarit të filmit “Michael” dhe e ka quajtur atë “të pasinqertë”, pasi, sipas tij, skenari diskrediton të dy akuzuesit.

“Aty, Jackson paraqitet vetëm duke u kujdesur për fëmijët me kancer, duke vallëzuar me një vajzë të vogël në karrocë, ose duke i vënë në gjumë disa djem të vegjël, kryesisht nipërit e tij, gjatë netëve që kalonin bashkë”, ka thënë ai.

Ndërkohë, Domingo, në një ngjarje në Venecia, ka thënë se familja e Jacksonit e ka përqafuar projektin.

“Ata e mbështesin shumë filmin tonë. Jam i lumtur që jam këtu në amfAR me Parisin (vajzën e Michaelit). Është një mënyrë e bukur për të qenë bashkë”, pati thënë ai.

Paris e ka mohuar këtë në Instagram, ajo gjithashtu ka shtuar se një arsye e madhe pse nuk ka folur më herët është se e dinte që shumë njerëz do të ishin të lumtur me këtë film.

“Ai i drejtohet një pjese të caktuar të fansave të babait tim që ende jetojnë në fantazi, dhe ata do të jenë të kënaqur me të”, ka thënë ajo.

Filmi “Michael”, me një buxhet prej 155 milionë dollarësh, pritet të dalë në kinema në muajin prill të vitit 2026, pas dështimit nëpër arkat filmike të filmit biografik të Bruce Springsteen, e cili ka fituar vetëm 31 milionë dollarë muajin e kaluar. /nzoom.biz/

spot_img
LAJMET E FUNDIT
Related news