General Motors kërkon nga furnitorët të heqin dorë plotësisht nga përdorimi i komponentëve që vijnë nga Kina, raporton agjencia Reuters, duke iu referuar katër burimeve.
Ky kërkesë erdhi në mes të pakënaqësisë në rritje midis prodhuesve të automjeteve për shkak të ndërprerjeve në prodhim të shkaktuara nga konfliktet tregtare mes vendeve.
Sipas burimeve, drejtuesit e GM-së u kanë “rekomanduar fuqishëm” furnitorëve që të gjejnë alternativa ndaj Kinës për furnizimin me lëndë të para dhe komponentë.
Gjithashtu, prodhuesi amerikan i automjeteve u ka vendosur disa furnitorëve afatin deri në vitin 2027, deri kur ata duhet të ndërpresin çdo lidhje me Kinën.
GM u drejtua furnitorëve në fund të 2024, por iniciativa mori rëndësi të veçantë këtë vit, në ditët e para të përshkallëzimit të luftës tregtare mes SHBA-së e Kinës.
Drejtuesit e GM-së theksojnë se kjo është pjesë e një strategjie më të gjerë për të rritur “qëndrueshmërinë” e zinxhirit të furnizimit të kompanisë. Tensionet gjeopolitike midis SHBA-së dhe Kinës kanë futur drejtuesit e industrisë në fazë rishikimi për gjithë vitin 2025.
Vendosja dhe heqja e vazhdueshme e tarifave nga Trump, dhe shqetësimet për mungesën e metaleve e të çipave, i kanë detyruar prodhuesit e makinave të rishqyrtojnë lidhjet e tyre me Kinën – e cila prej kohësh ka qenë një burim kryesor komponentësh dhe materialesh.
GM preferon të blejë pjesë të prodhuara në Amerikën e Veriut, ku kompania prodhon shumicën e automjeteve të saj. Megjithatë, mbetet e hapur për furnizime nga rajone dhe vende të tjera, me përjashtim të Kinës, Rusisë dhe Venezuelës. /nzoom.biz/


