Një startup neuroteknologjik me bazë kërkimore, i quajtur REMspace, pretendon se ka realizuar diçka që konsiderohej e pamundur, komunikimin mes dy njerëzve brenda ëndrrave.
Sipas kompanisë, dy persona që ishin në gjendje të vetëdijshme gjatë ëndrrës (të njohur si “lucid dreamers”) arritën të shkëmbejnë një fjalë ndërsa flinin, shkruan nzoom.biz.
Procesi është realizuar me ndihmën e një pajisjeje speciale që mat aktivitetin e trurit dhe një “gjuhë ëndrre” të krijuar posaçërisht, e quajtur Remmyo.
Gjatë eksperimentit, njëri prej pjesëmarrësve dëgjoi një fjalë të rastësishme përmes kufjeve dhe e shqiptoi brenda ëndrrës së tij. Pas rreth tetë minutash, personi i dytë, që ndodhej në gjumë të thellë dhe në fazën REM, raportoi se e kishte dëgjuar të njëjtën fjalë brenda ëndrrës së vet.
Nëse verifikohet shkencërisht, shënon fillimin e komunikimit në kohë reale gjatë gjumit. Sipas themeluesit të REMspace, teknologjia hap rrugën për forma të reja të mësimit, terapisë dhe krijimtarisë, duke lejuar ndërveprim mes njerëzve edhe në botën e ëndrrave.
Studiuesit theksojnë se rezultatet janë ende në fazë eksperimentale dhe kërkojnë konfirmim nga institucione të pavarura.
Zbulimi ka ngjallur entuziazëm në fushën e neuroshkencës e studimeve mbi ëndrrat, duke treguar se kufiri mes realitetit e imagjinatës po bëhet çdo ditë e më i hollë. /nzoom.biz/


