spot_img
8.8 C
Pristina
05/12/2025

Dhimbje dhe mirënjohje, familja e Shpat Kasapit flet pas humbjes së artistit

Familja e artistit të ndjerë Shpat Kasapi ka reaguar publikisht pas humbjes së parakohshme të këngëtarit, duke shprehur mirënjohjen e tyre për mbështetjen e madhe që kanë marrë gjatë kësaj periudhe të rëndë.

Në një postim të shpërndarë për publikun, miqtë dhe kolegët, ata falënderuan të gjithë për ngushëllimet e sinqerta dhe për përkrahjen morale:

“Të dashur familjarë, miq, kolegë dhe ju, publik e dashamirë të muzikës së Shpatit. Në emër të familjes sonë, ju falënderojmë nga zemra secilin prej jush për mbështetjen, ngushëllimet dhe respektin që na keni dhënë në këto ditë të rënda. Falë jush, kujtimi i Shpatit u nderua ashtu siç e meritonte, me dashuri dhe mirënjohje.”

Më tej, ata shtuan se humbja e këngëtarit përfaqëson një goditje të rëndë jo vetëm për familjen, por edhe për gjithë komunitetin artistik shqiptar dhe për të gjithë ata që e kanë vlerësuar artin e tij:

“Ikja e tij në amshim është një humbje e madhe, jo vetëm për ne si familje, por për gjithë komunitetin artistik shqipfolës dhe për të gjithë ata që e deshën artin dhe muzikën e tij. Jeta është e tillë — jetojmë sot, por nesër mund të ikim — dhe prandaj kujtimet e bukura mbeten pasuri e përjetshme.”

Ata përfunduan duke thënë se buzëqeshja dhe energjia e Shpatit do të mbeten gjithmonë një dritë e pashuar për ta, teksa falënderuan të gjithë për fjalët e ngrohta, lutjet dhe respektin e treguar.

Shpat Kasapi u nda nga jeta pas një sulmi në zemër, duke lënë pas familjen e tij të ngushtë, përfshirë djalin trevjeçar nga martesa me Selvije Jaon.

Lajmi tronditi mbarë publikun dhe komunitetin artistik. /nzoom.biz/

LAJMET E FUNDIT
Related news