spot_img
-0.1 C
Pristina
09/01/2026

Sigal Prishtina fiton bindshëm në Gjakovë dhe afrohet me gjysmëfinalen

Sigal Prishtina ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në basketboll, pasi triumfoi ndaj Vëllaznimit në ndeshjen e parë çerekfinale.

Takimi i zhvilluar në palestrën “Shani Nushi” u mbyll me fitoren e prishtinasve 82:68, në një duel ku mysafirët dominuan veçanërisht në pjesën e dytë.

Ndeshja nisi me avantazh të lehtë për Sigal Prishtinën, që fitoi çerekun e parë 17:14. Vëllaznimi reagoi në periodën e dytë dhe arriti ta fitojë atë 20:19, por pjesa e parë u mbyll me epërsi minimale për kryeqytetasit.

Pas pushimit, Sigal Prishtina ngriti nivelin e lojës dhe mori kontrollin e plotë të ndeshjes.

Çereku i tretë u dominua nga mysafirët me rezultat 25:15, ndërsa edhe periudha e fundit u mbyll në favor të tyre 21:19, duke siguruar një fitore të rëndësishme me 14 pikë diferencë.

Te Sigal Prishtina u dalluan Deondre Burns me 16 pikë, shtatë asistime dhe dy kërcime, si dhe Kahlil Dukes me 17 pikë dhe Adrio Bailey me 16 pikë.

Në anën tjetër, Jericole Hellems ishte lojtari më efikas i Vëllaznimit me 25 pikë, 12 kërcime dhe tri asistime, por kontributi i tij nuk mjaftoi për të shmangur humbjen.

Ndeshja e kthimit do të përcaktojë ekipin që do të sigurojë dy fitore dhe një vend në gjysmëfinale, ku do të përballet me fituesin e çiftit Bashkimi – GO+ Peja. /nzoom.biz/

 

 

 

 

Xheneta këshillon Eljionën: Nuk të bën çikë të keqe nëse ke pasë frajer
Read more

 

 

 

 

 

 

 

 

LAJMET E FUNDIT
Related news