Vesa Luma ka reaguar pas raportimeve se kënga “Valle Kosovare”, e interpretuar nga Shpat Kasapi, dyshohet të jetë përvetësuar nga një artist bullgar.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, këngëtarja ngriti shqetësimin për mbrojtjen e të drejtave autoriale e mënyrën si trajtohen krijimet muzikore ndër vite, shkruan nzoom.biz.
Në reagimin e saj, Luma theksoi se mbrojtja e veprës artistike është thelbësore, jo vetëm për momentin, por edhe për të ardhmen e familjeve të artistëve.
Ajo u shpreh se krijuesit nuk vlerësohen siç duhet dhe se ndodh që puna e tyre të përfundojë në duart e të tjerëve për shuma simbolike.
Në këtë kontekst, përmendi edhe rastin e debatit të mëhershëm mes Alida Hisku e Tayna.
“Thana” e Tayna-s përfshinte në hyrje refrenin e këngës “Vajzat e fshatit tim”.
Pas diskutimeve publike, Tayna kontaktoi Hiskun për bashkëpunim dhe për përdorimin e zërit të saj, por pagesa e ofruar, ishte 250 euro, çka nxiti reagime dhe polemika.
Sipas Lumës, këto raste tregojnë se industria muzikore shqiptare ka ende nevojë për më shumë ndërgjegjësim dhe respekt ndaj autorësisë.
Ajo u bëri thirrje kolegëve të jenë më të kujdesshëm dhe të mbrojnë krijimet e tyre, duke theksuar se e drejta autoriale është një garanci për dinjitetin dhe trashëgiminë artistike. /nzoom.biz/


