Tensionet mes politikës dhe industrisë së argëtimit janë rritur sërish në SHBA, pasi presidenti amerikan Donald Trump ka kërkuar largimin e Susan Rice nga bordi i drejtorëve të Netflix.
Kërkesa e tij u refuzua nga drejtori ekzekutiv i kompanisë, Ted Sarandos, i cili theksoi se çështja është thjesht biznes dhe jo politike, shkruan nzoom.biz.
Në një postim në Truth Social, Trump e cilësoi Rice “mashtruese politike”, duke përforcuar akuzat e aktivistes së ekstremit të djathtë Laura Loomer, e cila e ka kritikuar Netflix për lidhjet me ish-zyrtaren e administratës së Barack Obama dhe më pas të Joe Biden.
Debati vjen në moment delikat për industrinë e medias, ndërsa Netflix ka bërë një ofertë prej 83 miliardë dollarësh për blerjen e Warner Bros. Discovery.
Marrëveshja po përballet me kundërshtimin e Paramount Skydance, kompani e lidhur me rrjetin CBS, e cila kontrollohet nga familja Ellison.
Ndërkohë, Department of Justice po shqyrton marrëveshjen për shqetësime të mundshme mbi konkurrencën dhe fuqinë monopole në tregun e transmetimit.
Sarandos ka deklaruar se bashkimi do të sillte më shumë balancë në industri, duke theksuar se numri i studiove të mëdha në Hollywood do të reduktohej ndjeshëm nëse marrëveshja rivale miratohet.
Përplasja ka nxitur lobim intensiv në Uashington, duke e kthyer betejën për mediat në një çështje me ndikim të gjerë politik dhe ekonomik. /nzoom.biz/

