Pas 16 vitesh ekzistence, WhatsApp pritet të sjellë një nga ndryshimet më të mëdha në sistemin e sigurisë së llogarive të përdoruesve.

Aplikacioni po teston një funksion që do t’u lejojë përdoruesve të vendosin një fjalëkalim klasik për llogarinë e tyre – një opsion që deri më tani ka munguar, shkruan nzoom.biz.

WhatsApp përdor verifikimin përmes një kodi 6-shifror të dërguar me SMS.

Ky sistem konsiderohet i cenueshëm ndaj metodave të ndryshme të mashtrimit, siç është marrja e kartelës SIM nga persona të paautorizuar. Funksioni i ri, i cili është zbuluar në versionin beta për Android, do të shtojë një nivel shtesë mbrojtjeje.

Sipas planit, procesi i hyrjes në llogari do të përfshijë:

Verifikimin standard me SMS

PIN-in ekzistues (nëse është aktivizuar verifikimi me dy hapa)

Fjalëkalimin e ri të vendosur nga vetë përdoruesi

Kjo do ta bëjë më të vështirë marrjen e kontrollit të llogarisë nga persona të tretë, edhe në rast se ata kanë qasje në numrin e telefonit.

Opsioni është në fazë testimi për përdoruesit e Android-it dhe pritet që në periudhën e ardhshme të bëhet i disponueshëm edhe për përdoruesit e iPhone.

Ekspertët e teknologjisë e konsiderojnë hap të rëndësishëm drejt rritjes së sigurisë, veçanërisht në një kohë kur sulmet kibernetike dhe mashtrimet online janë në rritje.

WhatsApp synon të forcojë mbrojtjen e më shumë se dy miliardë përdoruesve mbarë botën, duke iu përgjigjur një kërkese për kontroll më të madh mbi sigurinë e llogarisë.