Këto shenja tregojnë se partneri po të manipulon

Në marrëdhëniet moderne po përdoret termi “breadcrumbing”, një fjalë që vjen nga kombinimi i “bread” (bukë) dhe “crumbs” (thërrime).

Ajo përdoret për të përshkruar sjelljen e njerëzve që “hedhin” vetëm pak vëmendje, interes apo dashuri ndaj dikujt tjetër, thjesht për ta mbajtur atë të lidhur emocionalisht pa pasur qëllimin për një marrëdhënie serioze

Kjo është mënyrë për të mbajtur kontakt e ushqyer shpresat e tjetrit, pa pasur asnjë qëllim pozitiv. Personi që e bën këtë dërgon mesazhe, komplimente apo sinjale romantike herë pas here, por pa e çuar marrëdhënien në një nivel më të thellë.

Sipas ekspertes së marrëdhënieve Dana McNeil, kjo është një sjellje manipuluese. Ekspertët e konsiderojnë këtë sjellje pjesë të manipulimit emocional, pasi krijon pritshmëri dhe shpresa të rreme.

Shenjat që tregojnë se po përjetoni “breadcrumbing”

Fjalët nuk përputhen me veprimet

Një nga shenjat më të zakonshme është kur dikush shpreh ndjenja apo interes, por në praktikë nuk bën asgjë për ta treguar. Mund të thotë se ju pëlqen shumë apo se do të kalojë kohë me ju, por nuk organizon takime ose nuk gjen kohë për t’ju parë.

Komunikimi është i paqëndrueshëm

Në një moment mund të flisni vazhdimisht me mesazhe dhe telefonata, ndërsa në tjetrin personi zhduket për ditë apo javë. Kur ndien se mund t’ju humbasë, ai rikthehet sërish me mesazhe dhe vëmendje për të ringjallur interesin tuaj.

Planet anulohen vazhdimisht

Një tjetër shenjë janë planet që shtyhen ose anulohen. Justifikimet mund të jenë nga më të ndryshmet, por rezultati është i njëjtë: takimi nuk realizohet. Megjithatë, nëse takimi përfshin një marrëdhënie intime, personi ka më shumë gjasa të shfaqet.

Pas takimeve ndiheni të zhgënjyer

Një marrëdhënie e shëndetshme duhet të të bëjë të ndihesh mirë me veten. Në rastin e “breadcrumbing”, ndjenja që mbetet është trishtimi ose konfuzioni, sepse përveç flirtit dhe vëmendjes së momentit, mungon stabiliteti dhe respekti.

Interesi nuk është i njëjtë nga të dyja palët

Mund të ndiheni sikur po përpiqeni të kuptoni çfarë po ndodh në marrëdhënie. Personi tjetër mund të jetë simpatik dhe flirtues, por nuk bën përpjekje reale për t’ju njohur më mirë ose për të ndarë gjëra për veten.

Si të përballeni me këtë situatë?

Vendosni kufij të qartë

Vendosja e kufijve të shëndetshëm që në fillim të marrëdhënies është e rëndësishme. Vendosni cilat sjellje jeni të gatshëm të pranoni dhe qëndroni besnikë ndaj tyre.

Ndërprisni komunikimin

Mënyra më efektive për të dalë nga një situatë e tillë është të ndërprisni kontaktin. Injormi i mesazheve dhe distancimi nga personi mund të jetë i vështirë, por ndihmon për të mos u përfshirë më në këtë lojë emocionale.

Mos e merrni personale

Sjellja e një personi që praktikon “breadcrumbing” lidhet më shumë me nevojën e tij për kontroll dhe vëmendje sesa me ju. Qëllimi i tij është shpesh të ushqejë egon, jo të ndërtojë një marrëdhënie të vërtetë. /nzoom.biz/

LAJMET E FUNDIT
Related news