Pas masave të ftohta që depërtuan të premten, duke sjell reshje bore në zona të ulëta, në pjesë të Rrafshit të Kosovës, edhe këtë javë moti mbetet nën ndikimin e masave më të ftohta ajrore dhe atyre të paqëndrueshme.
Si rrjedhojë, moti u karakterizua i vranët dhe me riga të izoluara shiu në disa lokalitete, ndërsa në këto momente ka filluar të intensifikohen vende-vende, shkruan nzoom.biz.
Të martën, në ndërkohë, si pasojë e masave të ftohta, të cilat janë më të fuqizuara nga Evropa Jugperëndimore deri në Afrikën Veriore, pritet të formohet një ciklon në Detin Tiren në orët e mëngjesit, i cili do të lëvizë gradualisht drejt rajonit tonë.
Tek ne, moti do të vazhdojë kryesisht i vranët dhe me reshje të izoluara shiu, ndërsa krejt vonë në mbrëmje dhe gjatë natës pritet intensifikim i reshjeve në pjesën më të madhe të vendit.
Të mërkurën, pas reshjeve gjatë orëve të para të 24-orëshit, në pjesën e parë të ditës parashihet mot kryesisht i vranët dhe me reshje të izoluara shiu, ndërsa gjatë orëve të pasdites dhe mbrëmjes pritet fuqizim i reshjeve në pjesën më të madhe të vendit. Nuk përjashtohet mundësia që të shfaqen fjolla bore edhe në ultësira në disa pjesë të Rrafshit të Kosovës, konkretisht në orët e mëngjesit.
Të enjten, cikloni do të arrijë në Greqi, ku pritet fuqizim i reshjeve dhe i erës me drejtim nga veriu.
Edhe temperaturat do të pësojnë ulje. Përpos reshjeve të borës në zonat malore, ato mund të paraqiten edhe në zona të ulëta, sidomos në zonën e Llapit. Të premten dhe të shtunën do të vazhdojë mot i vranët dhe herë pas here me reshje lokale shiu.
Të dielën, pritet që masat e ftohta gradualisht të zbehen, megjithatë moti do të karakterizohet me vranësira të shpeshta dhe ndonjë reshje të izoluar shiu, ndërsa temperaturat do të shënojnë ngritje për të paktën 4–5°C në vlerat maksimale.
Era do të fryjë nga drejtimi i veriut, e cila herë pas here pritet të jetë e fuqishme lokalisht, konkretisht nga dita e martë deri të enjten, me shpejtësi prej 17–51 km/h.
Temperaturat minimale do të lëvizin prej 1 deri në 7°C, ndërsa ato maksimale prej 4 deri në 16°C. /MeteoKosova/

