spot_img
0.5 C
Pristina
21/11/2024

Sukses i jashtëzakonshëm, UBT vendos Kosovën të parën në rajon në garën botërore të robotikës në Athinë

Kosova ka arritur një sukses të madh në garën botërore të robotikës që u mbajt në Athinë.

Grupi është renditur si ekipi i parë nga rajoni, shkruan nzoom.biz.

Ekipi i përgatitur dhe udhëhequr nga UBT, FIRST Global Kosova, mori vendin e 65 nga 180 ekipe, duke e kaluar Slloveninë, Kroacinë, Serbinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Roboti i dizajnuar nga ekipi kosovar, nën udhëheqjen e mentores Elita Hajrizi, u vlerësua për performancën e tij të shkëlqyer duke qenë stabil, pa defekte dhe shumë produktiv, çka tregon për nivelin e lartë të aftësive dhe profesionalizmit të ekipit.

Kjo përformancë e shkëlqyer është një dëshmi e punës së palodhur dhe përkushtimit të ekipit, që ka punuar me intensitet për të arritur këtë rezultat.

Mentorja Elita Hajrizi dhe anëtarja e ekipit, Harisa Haziri, u intervistuan nga televizioni grek, ERT News, ku theksuan rëndësinë e pjesëmarrjes në këtë garë ndërkombëtare.

Ekipi i Kosovës ka fituar poashtu dy çmime globale për promovimin e STEAM dhe Robotics: Njëri për Video Story Telling dhe çmimi i dytë për kontributin në Social Media.

Zyra përfaqësuese e Kosovës ishte e pranishme gjatë gjithë ngjarjes, duke marrë pjesë në ceremoninë e hapjes dhe përfundimit të garës, duke e bërë të qartë angazhimin e Kosovës në promovimin e shkencës dhe teknologjisë.

Në përfundim të ngjarjes, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, është takuar Presidenti i FIRST Global Challenge, Dean Kamen, të cilit i ka bërë një kërkesë zyrtare për të organizuar këtë garë në vendin tonë në të ardhmen, duke synuar që të inkurajojë dhe mbështesë më tej zhvillimin e talenteve në fushën e robotikës.

Ky hap do të ishte një mundësi e shkëlqyer për të nxitur pasionin e të rinjve për teknologjinë dhe inovacionin. /nzoom.biz/

LAJMET E FUNDIT
Related news