Merr frymë thellë, qetësohu… ose të paktën përpiqu!
Je duke folur me dikë që të pëlqen dhe, pa kuptuar, fillon të ndihesh sikur trupi ka marrë drejtimin vetë. Faqet kuqëlojnë, zemra të rreh si e çmendur dhe duart s’po dinë ç’të bëjnë. Përse nuk mund të jemi “cool” në momentet që na duhet më shumë?
E vërteta është se këto ndjesi janë më normale nga sa mendon. Ekspertët e shëndetit mendor e shpjegojnë këtë nervozizëm si reagim të trupit ndaj emocioneve të fuqishme. Linda Whiteside, terapiste e licensuar, e përshkruan këtë si mënyrë automatike që kemi për të “qetësuar” stresin emocional – edhe kur s’jemi plotësisht të vetëdijshëm për të.
Mos u shqetëso! Me pak vëmendje dhe këshilla praktike, mund të përballesh me këto situata pa humbur kontrollin. Le të zbulojmë ç’ndodh kur trupi dhe emocionet “të tradhtojnë” para dikujt që të pëlqen.
Pse emocionet të dalin jashtë kontrollit?
Ajo ndjesia sikur gjithçka të del nga duart ka arsye. Trupi aktivizon “alarm” të brendshëm sa herë që emocionet shumëfishohen. Ankthi dhe eksitimi kanë efekte të ngjashme në trup: Rrahjet e zemrës përshpejtohen, fytyra skuqet dhe muskujt tensionohen. Në vend që të dukesh “cool”, përfundon duke u ndjerë sikur ke dalë nga një film komedi romantike.
Shenja që tregojnë se të pëlqen dikush
Kur dikush të tërheq, trupi e zbulon më parë se sa vetë ti, shenjat që s’duhet t’i injorosh:
Fizike: Djersitje, prekje të vazhdueshme të flokëve ose fytyrës, dhe ato faqet që s’e mbajnë dot sekretin.
Sjellje: Belbëzim, të qeshura nervoze ose shmangie (ose ekzagjerim) të kontaktit me sy.
Si të ruash qetësinë në situata të tilla?
Ekspertët sugjerojnë ta pranosh nervozizmin si pjesë të lojës. Pse të mos e kthesh në një moment për të qeshur? Një frazë si “Më ndodh kjo kur flas me dikë interesant/e!” mund të ndihmojë jo vetëm ty, por edhe personin tjetër të ndjehet më rehat.
Nervozizmi në momente të tilla është njerëzore. Në vend që ta luftosh, përpiqu ta përqafosh e të shijosh emocionet që vijnë me të. Në fund të fundit, a nuk janë këto momentet që e bëjnë të veçantë ndjesinë e të pëlqyerit dikë? /nzoom.biz/