Vajza sekrete e Vladimir Putinit e quan publikisht atë ‘njeriun që ia shkatërroi jetën’

Elizaveta Vladimirovna Krivonogih (22 vjeçe), për të cilën besohet se është vajza e fshehtë e presidentit rus Vladimir Putin, ka publikuar së fundmi një seri mesazhesh enigmatike dhe të fuqishme në kanalin e saj privat në Telegram. Edhe pse nuk përmend askënd me emër, shumë ndjekës besojnë se ato janë një përballje indirekte me të atin e saj biologjik.

“Është çliruese të mund të tregoj përsëri fytyrën time para botës”, ka shkruar Elizaveta, e cila jeton në Paris.

“Kjo më kujton kush jam dhe kush ma ka shkatërruar jetën”, ka shtuar ajo, sipas mediave gjermane që kanë transmetuar postimin.

Elizaveta, e diplomuar në arte, është e njohur me pseudonimin artistik Luiza Rozova.

Ajo është vajza e Svetlana Krivonogih, ish-punëtore shtëpie e Putinit, ka lindur më 2003, për herë të parë lidhja e mundshme familjare me presidentin rus u publikua nga investigativ Proekt më 2020, duke u bazuar në“ngjashmëri tronditëse” mes saj e Putin.

Edhe pse Putin nuk e ka pranuar zyrtarisht atësinë, vetë emri i mesëm i saj – Vladimirovna, që do të thotë “vajza e Vladimirit” – ka rritur dyshimet për origjinën e saj.

Në qendër të vëmendjes ajo doli për herë të parë përmes postimeve, të cilat u zbuluan në vitin 2021 nga lideri opozitar i vrarë Aleksej Navalny. Ato fotografi shfaqnin jetë luksoze, me veshje të brendeve të shtrenjta dhe ambiente që për qytetarin e zakonshëm rus janë të paarritshme, duke nxitur spekulime për lidhje të drejtpërdrejta me pasurinë e Putinit.

Pas nisjes së pushtimit rus në Ukrainë, Elizaveta u tërhoq nga publiku. Llogaria e saj në Instagram u fshi dhe të gjitha fotografitë ku shfaqej fytyra e saj u hoqën. Ajo është kthyer sporadikisht, por gjithnjë me kujdes dhe rezervë.

Aktualisht, ajo punon në një galeri arti në Paris, e specializuar në vepra kundër luftës, dhe është shprehur gjithnjë e më haptazi kundër agresionit rus. Në një nga postimet e saj ajo dënon masakrat e regjimit, për të cilin shumë besojnë se udhëhiqet nga vetë babai i saj.

“Më mirë të jem askushi, sesa ajo që familja më detyroi të jem”, ka shkruar ajo.

Edhe pse Elizaveta është përpjekur të largohet nga jeta e mëparshme e shënuar nga luksi një pjesë e publikut mbetet skeptike për sinqeritetin e këtij transformimi.

Kritikat nuk kanë munguar disa mendojnë se, pavarësisht deklaratave, ajo nuk duhet të punojë në hapësira ku vijnë edhe refugjatë ukrainas, e aq më pak të përfitojë nga lidhjet familjare që i kanë sjellë këtë jetë.

“A jam vërtet përgjegjëse për veprimet e një familjeje që as nuk më dëgjon?”, shkroi ajo në një mesazh mbrojtës.

Presidenti rus nuk e ka pranuar publikisht Elizavetën, as ndonjë fëmijë tjetër përveç dy vajzave që ka nga martesa e tij e parë.

Megjithatë, thashethemet për jetën e tij private nuk pushojnë. Thuhet se ai ka edhe dy djem të tjerë, të moshës 10 dhe 6 vjeç, me ish-gjimnasten dhe kampionen olimpike Alina Kabaeva, me të cilën prej kohësh lidhet në mënyrë jozyrtare. Si gjithçka tjetër që lidhet me jetën personale të Putinit, edhe kjo histori mbetet e mbuluar me mister.

Por mesazhet publike të Elizaveta po hedhin dritë të re mbi këtë realitet të errët e të mbyllur.

LAJMET E FUNDIT
Related news