spot_img
9.7 C
Pristina
30/09/2025

Pse në disa familje lindin vetëm djem? Ja kush ka më shumë gjasa të ketë fëmijë të së njëjtës gjini

A keni menduar ndonjëherë pse disa familje kanë vetëm djem ose vetëm vajza?

Kjo pyetje ka intriguar jo vetëm prindërit, por edhe shkencëtarët e Harvardit, të cilët kanë kryer një studim të madh për të kuptuar më mirë këtë dukuri.

Çka tregojnë të dhënat?

Studimi u mbështet në Nurses’ Health Study, projekt ku u analizuan mbi 146,000 shtatzëni të rreth 58,000 grave amerikane gjatë periudhës 1956–2015. Qëllimi ishte të shihej cilët faktorë ndikojnë në gjininë e fëmijës.

Rezultatet treguan se shpërndarja nuk është 50:50, siç mendohet. Pasi u përjashtua lindja e fundit të çdo nëne (për të shmangur ndikimin e vendimeve familjare për të ndaluar lindjet nëse fëmijët ishin të një gjinie), u vu re se mosha e nënës në lindjen e parë lidhet me gjasat për të pasur fëmijë të së njëjtës gjini.

Sa më vonë të lindë gruaja fëmijën e parë, aq më shumë rriten mundësitë që të ketë vetëm djem ose vetëm vajza.

Kur gjinia “përsëritet”

Në familjet me dy fëmijë, zakonisht haset një kombinim djalë–vajzë. Në familjet me tre ose më shumë fëmijë, shfaqet më shpesh prirja që të jenë të gjithë të së njëjtës gjini.

Nëse një familje ka tre djem, gjasat që edhe fëmija tjetër të jetë djalë janë rreth 61%. Nëse ka tre vajza, gjasat që e katërta të jetë po vajzë janë rreth 58%.

Pra, probabiliteti nuk është neutral, por anon nga përsëritja.

Roli i moshës dhe faktorëve biologjikë

Studimi vuri re se gratë që lindën fëmijën e parë pas moshës 29 vjeç kishin 13% më shumë gjasa të kishin fëmijë të së njëjtës gjini, krahasuar me gratë që nisën të lindnin para moshës 23 vjeç. Një shpjegim i mundshëm lidhet me ndryshimet biologjike të trupit të gruas me kalimin e moshës, përfshirë pH-në e vagjinës, që mund të ndikojë mbi mbijetesën e spermatozoideve që mbajnë kromozomin X ose Y.

Studiuesit theksojnë se edhe faktorët e babait luajnë rol, edhe pse nuk janë analizuar në këtë kërkim. Çfarë do të thotë kjo për prindërit?

Nuk është e saktë të thuhet se çdo shtatzëni ka shanse fikse 50:50 për gjininë e fëmijës.

Nëse një çift ka disa fëmijë të së njëjtës gjini, mundësia për të pasur një fëmijë të gjinisë tjetër është më e vogël se gjysma.

Dr. Jorge Chavarro, e përmblodhi qartë: “Nëse keni dy ose tre vajza e shpresoni për djalë,  probabiliteti është më i ulët se 50:50 më shumë gjasa keni të keni sërish një vajzë.”

Edhe pse gjinia e fëmijës mbetet çështje biologjie dhe probabiliteti, studimi tregon se shpërndarja nuk është rastësore. Mosha e nënës dhe përsëritja e gjinisë te fëmijët e mëparshëm mund të ndikojnë në gjasat e lindjes.

Shkencëtarët pranojnë se nevojiten kërkime tjera për të kuptuar pse disa familje kanë vetëm djem ose vajza – por ky është një hap i rëndësishëm drejt përgjigjes. /nzoom.biz/

spot_img
LAJMET E FUNDIT
Related news