OpenAI ka njoftuar se në versionet e ardhshme të ChatGPT do të lejohet një gamë te gjerë përmbajtjesh, përfshirë edhe material erotik, si pjesë e përpjekjeve për të “trajtuar përdoruesit e rritur si të rritur”, sipas shefit të kompanisë, Sam Altman.
Në një postim në X të martën, Altman tha se chatbot-i do të sillet në mënyrë më njerëzore, vetëm nëse përdoruesi e dëshiron, dhe jo me qëllim për të maksimizuar përdorimin, shkruan nzoom.biz.
Ndërsa disa shohin këtë lëvizje si një mundësi për të tërhequr më shumë abonentë, kritikët paralajmërojnë se vendimi rrit nevojën për rregullore më të forta federale dhe shtetërore.
Vendimi vjen pas një padie të ngritur në fillim të vitit nga prindërit e një adoleshenti amerikan që kreu vetëvrasje. Çifti, Matt dhe Maria Raine, kritikuan kontrollet prindërore të OpenAI, duke thënë se nuk ishin të mjaftueshme për të mbrojtur fëmijët.
Padia përfshinte regjistra bisedash mes djalit të tyre, 16-vjeçarit Adam Raine, dhe ChatGPT, ku tregohej se ai kishte mendime vetëvrasëse.
Altman theksoi se më parë ChatGPT ishte i kufizuar për të mbrojtur përdoruesit me probleme të shëndetit mendor.
“Kjo e bëri ChatGPT më pak të dobishëm për shumë përdorues që nuk kishin probleme të tilla, por serioziteti i çështjes e bëri të nevojshme këtë qasje,” tha ai.
Ai shtoi se OpenAI ka zhvilluar mjete që lejojnë zbutjen e kufizimeve në mënyrë të sigurt në shumicën e rasteve dhe se në dhjetor, platforma lejon përmbajtje erotike për përdorues të rritur të verifikuar, duke ndjekur parimin “trajtoni përdoruesit e rritur si të rritur”.
Kritikët, përfshirë avokaten Jenny Kim, paralajmërojnë se mbetet e paqartë si do të sigurohet që fëmijët të mos kenë qasje në këto përmbajtje dhe kritikojnë kompanitë e mëdha teknologjike për përdorimin e njerëzve si “minj eksperimentalë”.
Sipas raportimeve të TechCrunch në prill, OpenAI kishte lejuar gabimisht që përdorues të mitur të gjeneronin përmbajtje erotike, por kompania tha se po zhvillonte një zgjidhje për të kufizuar këtë problem. /nzoom.biz/