Kompania Porsche ka njoftuar rënie dramatike të fitimeve pas taksave, që kanë shënuar vetëm 114 milionë euro, një ulje prej 95.9% krahasuar me një vit më parë.
Nga korriku deri në shtator, kompania në Stuttgart raportoi humbje prej 966 milionë eurosh, në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar fitoi 974 milionë euro, shkruan nzoom.biz.
Rënia lidhet me ndryshimet strategjike të menaxhmentit nën drejtimin e shefit Oliver Blume, i cili ka hequr dorë nga objektivat ambicioze për elektrifikim, përfshirë prodhimin e baterive.
Lansimi i modeleve të reja elektrike është shtyrë, ndërsa fokusi është kthyer tek motorët me djegie të brendshme, që do të vazhdojnë të përdoren edhe në dekadën e ardhshme.
Ky “operacion emergjent” pritet të ketë kosto të larta, me shpenzime të parashikuara në 3.1 miliardë euro për vitin fiskal 2025. Fitimi operativ për nëntë muajt e parë të vitit ishte vetëm 40 milionë euro, një rënie prej 99% krahasuar me mbi katër miliardë euro vitin e kaluar. Shitjet gjithashtu ranë me 6%, duke arritur 26.9 miliardë euro.
Drejtori financiar i Porsche, Jochen Breckner, tha se kompania po pranon rezultate financiare të dobëta përkohësisht, për të forcuar qëndrueshmërinë dhe fitueshmërinë afatgjatë, me përmirësime të pritshme nga viti 2026.
Porsche ka qenë tradicionalisht një motor fitimi për Grupin Volkswagen, por mosrealizimi i pritjeve për veturat elektrike dhe tarifat e reja amerikane kanë ndikuar negativisht.
Nga janari deri shtator janë shitur 215,500 automjete, ulje prej 6% krahasuar me vitin e kaluar. Situata është shqetësuese në Kinë, ku shitjet kanë rënë në rreth 32,200 automjete, nga mbi 68,000 në vitin 2022. /nzoom.biz/


