spot_img
-2.2 C
Pristina
31/12/2025

Me flamurin shqiptar në kafaz, Gjoni Palokaj drejt majave të MMA-së

Gjoni Palokaj po afirmohet si një nga emrat më premtues të organizatës OKTAGON MMA.

Luftëtari shqiptar, me prejardhje nga Velezha e Prizrenit dhe i rritur në Gjermani, po ndërton një karrierë të suksesshme duke bashkuar disiplinën gjermane me shpirtin luftarak shqiptar, shkruan nzoom.biz.

Hapat e parë në sport i ka hedhur nën drejtimin e xhaxhait dhe trajnerit të tij, David Palokaj, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në rezultatet e tij në arenën profesionale.

Palokaj ka bilanc prej 13 fitoresh dhe 3 humbjesh, ndërsa ndodhet në seri prej shtatë fitoresh radhazi, duke u pozicionuar në mesin e elitës së divizionit të tij.

Sfida e radhës pritet të jetë vendimtare për karrierën e tij.

Më 17 janar 2026, në Düsseldorf, do të përballet me britanikun James Hendin, në duel mes luftëtarit të renditur të gjashtin dhe atij të shtatin, që pritet të përcaktojë hyrjen në Top 5 të kategorisë.

Në një intervistë për TV Dukagjini, Palokaj ka theksuar se lufton me krenari nën flamurin shqiptar, ndërsa mbështetja e bashkëkombësve i jep forcë shtesë në kafaz. Synimi i tij afatgjatë mbetet ngjitja në majat e OKTAGON dhe realizimi i ëndrrës për të garuar në UFC.

Gjoni Palokaj përfaqëson një shembull të disiplinës dhe sakrificës. I diplomuar në Inxhinieri Elektronike dhe ish-punonjës i Volkswagen Hannover, ka vendosur t’i përkushtohet plotësisht MMA-së, duke u shndërruar në krenari shqiptare në arenën ndërkombëtare.

LAJMET E FUNDIT
Related news