Blue Monday shpesh përkufizohet si “dita më e trishtuar e vitit” dhe zakonisht bie të hënën e tretë të muajit janar.
Kjo ide është përhapur në media dhe rrjete sociale, duke u kthyer në një term të njohur për shumë njerëz në mbarë botën, shkruan nzoom.biz.
Origjina e Blue Monday lidhet me një formulë të krijuar vite më parë, e cila pretendonte se kombinonte disa faktorë që ndikojnë në gjendjen emocionale të njeriut.
Mes tyre përfshihen moti i ftohtë dhe i zymtë i dimrit, mungesa e dritës së diellit, përfundimi i festave të fundvitit, rikthimi në rutinën e përditshme të punës apo shkollës, si dhe presioni për të përmbushur premtimet dhe objektivat e vendosura për vitin e ri.
Sipas kësaj teorie, të gjitha elementet bashkohen në një pikë të vetme në mes të janarit, duke krijuar një ndjenjë lodhjeje, trishtimi dhe mungese motivimi.
Kjo formulë nuk ka asnjë bazë shkencore dhe nuk mbështetet nga studime serioze në fushën e psikologjisë apo shëndetit mendor.
Gjendja emocionale e njerëzve është komplekse e ndikohet nga faktorë, si rrethanat personale, shëndeti mendor, mbështetja sociale dhe mënyra e jetesës.
Prandaj, ideja se ekziston një ditë e vetme që është më e trishtuar se të tjerat për të gjithë njerëzit, konsiderohet e thjeshtuar dhe jo e saktë.
Sot shihet më shumë si një mundësi për të hapur diskutime rreth mirëqenies mendore.
Ajo shërben si një kujtesë për të normalizuar emocionet e vështira, për të pranuar se ndjenjat e lodhjes, trishtimit apo mungesës së motivimit janë pjesë normale e jetës, sidomos pas një periudhe festash dhe ndryshimesh.
Ekspertët këshillojnë që kjo ditë të përdoret për t’i kushtuar më shumë vëmendje vetes, për të dëgjuar nevojat personale, për të ruajtur kontakte sociale dhe për të kërkuar mbështetje profesionale ose familjare kur është e nevojshme.
Kujdesi për shëndetin mendor, s’duhet të kufizohet vetëm në një ditë të vetme, por të jetë një proces i vazhdueshëm gjatë gjithë vitit.
Blue Monday nuk është domosdoshmërisht “dita më e trishtuar e vitit”, por kujtesë e rëndësishme për të reflektuar mbi mënyrën se si ndihemi dhe për të vendosur mirëqenien mendore në qendër të vëmendjes sonë. /nzoom.biz/

