Skandal në Prizren| “Shka i Maqedonisë” – i kapet fytyra trajnerit të Pejës 03 në parket, ekipi tërhiqet nga loja

Një skandal ka ndodhur gjatë finales së basketbollit për femra në Prizren mes KBF Peja 03 dhe KBF Bashkimi, ku ndeshja ka përfunduar në kaos pas një sulmi fizik ndaj trajnerit të ekipit mysafir.

Sipas reagimit zyrtar, që nga fillimi i ndeshjes, lojtaret dhe stafi janë përballur me sharje, ofendime dhe kërcënime të vazhdueshme nga publiku vendas, ndërsa në sallë kanë qenë vetëm dy zyrtarë policorë, çka si pasojë e ka bërë të pamundur menaxhimin e situatës, shkruan nzoom.biz.

Klubi thotë se kishte reaguar te delegati i ndeshjes, por përgjigjja kishte qenë se “pa ndodhur një incident konkret, nuk ka bazë për raportim”, ndërkohë që ofendimet kanë vazhduar pa ndërprerje deri në momentin kritik.

Sipas Pejës 03, eskalimi ndodh kur kryetari i KBF Bashkimi, njëkohësisht anëtar i bordit të Federata e Basketbollit të Kosovës, Rrahman Perteshi, i afrohet “kokë për kokë” trajnerit Muja Thaqi, në një veprim që është interpretuar si kërcënim i drejtpërdrejtë.

Sipas të njëjtit reagim dhe pamjeve që posedon Sinjali, ky veprim ka nxitur edhe tifozët, ku njëri prej tyre i është afruar trajnerit dhe i ka kapur fytyrën duke tentuar t’ia mbyllë gojën – një akt që përbën sulm fizik ndaj një zyrtari të ndeshjes.

Përveç ndërhyrjes fizike, trajneri Muja Thaqi është ofenduar rëndë nga tribuna me thirrje si “shka i Maqedonisë”, ofendim që cilësohet tejet i rëndë, duke theksuar se bëhet fjalë për një figurë të respektuar të basketbollit kosovar, shqiptar, që ka kontribuar ndër vite për sportin dhe posedon shtetësi të Kosovës.

“Nuk u ndërmorr asnjë veprim për të qetësuar situatën… erdhëm te më e keqja kur publiku u fut në parket dhe e kapën trajnerin për fytyre. Ne u detyruam ta tërheqim ekipin”, thuhet në reagimin e klubit.

Në këto rrethana, për shkak të rrezikut serioz për sigurinë e lojtareve dhe stafit, KBF Peja 03 ka marrë vendim të tërhiqet nga loja, ndërsa vetëm pas kësaj është zbrazur salla.

Incidentet kanë vazhduar edhe pas ndërprerjes së ndeshjes, ku persona zyrtarë të klubit vendas janë vërsulur sërish drejt trajnerit me ofendime dhe kërcënime, përfshirë thirrje “të presim jashtë”.

Largimi i ekipit nga palestra është bërë nën masa të rrepta sigurie, me mbi 20 zyrtarë policorë.

KBF Peja 03 rikujton se kjo nuk është hera e parë që përballet me incidente të tilla në përballjet me Bashkimin, duke përmendur rastin e 18 janarit 2024, kur autobusi i ekipit ishte sulmuar dhe i ishte thyer xhami.

Sipas dispozitave të Federatës së Basketbollit të Kosovës, në raste të tilla kur ndodh sulm fizik ndaj zyrtarëve të ndeshjes, loja duhet të ndërpritet dhe ekipi përgjegjës e humb ndeshjen me rezultat zyrtar pa marrë pikë (neni 41.7.6).

Rregullorja parasheh se në çdo rast kur cenohet siguria e pjesëmarrësve apo krijohen rrethana të pasigurta, përfshirë sulme apo hyrje të publikut në parket, gjyqtari kryesor duhet ta ndërpresë ndeshjen nëse nuk krijohen kushte për vazhdim brenda afatit të përcaktuar (neni 41.8 dhe 41.8.3).

Veprimet si afrimi kërcënues “kokë më kokë” e ndërhyrja fizike për t’i mbyllur gojën trajnerit përbëjnë shkelje të rëndë dhe tentativë për të nxitur dhunë, duke shtuar se nga një zyrtar i lartë si kryetari i klubit dhe njëkohësisht anëtar i bordit të FBK-së pritej parandalim i situatës dhe jo nxitje e saj.

Pas përfundimit të ndeshjes, incidentet nuk kanë përfunduar. Dyshohet se kryetari i KBF Bashkimi, Rrahman Perteshi, së bashku me Kushtrim Kabashi, zyrtar i lartë i klubit, janë afruar sërish te trajneri Muja Thaqi, duke e ofenduar dhe duke i drejtuar fjalë kërcënuese.

Sinjali ka tentuar të kontaktojë edhe kryetarin e KBF Bashkimi, Rrahman Perteshi, për të marrë një qëndrim lidhur me incidentin, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.

Në fund, KBF Peja 03 i ka bërë thirrje Federatës së Basketbollit të Kosovës që të ndërmarrë masa urgjente dhe konkrete për këtë rast, duke e cilësuar ngjarjen si një nga më të rëndat dhe më të turpshmet në basketbollin kosovar.

LAJMET E FUNDIT
Related news