Humbje e madhe për muzikën, vdes këngëtarja e njohur

Bonnie Tyler, këngëtarja me zërin karakteristik që u bë e famshme në mbarë botën me hitin “Total Eclipse of the Heart”, ka ndërruar jetë në moshën 75-vjeçare.

Lajmi u konfirmua nga familja dhe ekipi i saj, të cilët njoftuan se artistja u shua në një spital në Portugali, pas një sëmundjeje për të cilën po trajtohej, njofton nzoom.biz.

Ata kërkuan privatësi për të përballuar këtë humbje.

Në maj, Tyler iu nënshtrua një ndërhyrjeje urgjente në zorrë dhe u vendos në koma të induktuar. Muajin e kaluar, zëdhënësi i saj bëri të ditur se ajo kishte dalë nga koma, por vazhdonte të ishte në gjendje shumë të rëndë në repartin e kujdesit intensiv.

E lindur si Gaynor Hopkins në Uells në vitin 1951, ajo zgjodhi më vonë emrin artistik Bonnie Tyler. Karrierën e nisi duke kënduar në klube lokale, ndërsa një operacion në fyt në vitin 1976 ndryshoi përgjithmonë zërin e saj, duke i dhënë timbrin e ngjirur që u kthye në firmën e saj artistike.

Suksesi i parë i madh erdhi në vitin 1977 me “It’s a Heartache”, por kulmi i karrierës mbërriti në vitin 1983 me “Total Eclipse of the Heart”, këngë e shkruar nga Jim Steinman. Hiti pushtoi vendin e parë në klasifikimet muzikore në SHBA dhe Britaninë e Madhe, albumi “Faster Than the Speed of Night” u bë një nga më të suksesshmit e vitit.

Një vit më vonë, Tyler regjistroi një tjetër projekt “Holding Out for a Hero”, që u bë pjesë e kolonës zanore të filmit Footloose dhe mbetet një nga këngët më të njohura të viteve ’80. Edhe pse popullariteti i saj në SHBA u zbeh me kalimin e viteve, Bonnie Tyler vazhdoi të kishte një karrierë të suksesshme në Europë.

Më 2013 përfaqësoi Britaninë e Madhe në Eurovision. Gjatë karrierës së saj publikoi 18 albume, mori tre nominime për çmimin Grammy dhe në vitin 2022 u nderua me titullin Anëtare e Urdhrit të Perandorisë Britanike për kontributin në muzikë.

Bonnie Tyler ishte e martuar me Robert Sullivan që prej 1973. Çifti nuk pati fëmijë dhe artistja foli publikisht për humbjen e një shtatzënie më 1992.

Me ndarjen e saj nga jeta, muzika humbet një nga zërat më të veçantë të rock-ut dhe pop-it, ndërsa këngë si “Total Eclipse of the Heart”, “It’s a Heartache” dhe “Holding Out for a Hero” mbeten pjesë e historisë së muzikës botërore. /nzoom.biz/

LAJMET E FUNDIT
Related news