Si t’i pastroni jastëkët dhe jorganët pa rrobalarëse?

Zbuloni një mënyrë të thjeshtë për t’i pastruar dhe freskuar jastëkët dhe jorganët pa i futur në rrobalarëse.

Shumica e njerëzve i lajnë rregullisht këllëfët e jastëkëve dhe çarçafët, por harrojnë jastëkët dhe jorganët, shkruan nzoom.biz.

Edhe pse mbrohen me mbulesa, me kalimin e kohës në ta grumbullohen pluhuri, qelizat e vdekura të lëkurës, djersa dhe papastërti të tjera, të cilat mund të ndikojnë në higjienë dhe në cilësinë e gjumit.

Ekspertët rekomandojnë që jastëkët dhe jorganët të pastrohen të paktën një herë në tre muaj. Kur nuk mund të futen në rrobalarëse, ekzistojnë disa mënyra të thjeshta për t’i freskuar dhe pastruar në shtëpi.

Si ta freskoni jorganin pa e larë në rrobalarëse?

Jorganët e mëdhenj nuk zënë në rrobalarëset standarde, por kjo nuk do të thotë se nuk mund t’i freskoni.

Ekspertja e pastrimit, Lynsey Crombie, këshillon që jorganin ta varni jashtë në një ditë me diell dhe erë.

“Ajrosja e jorganit në ambient të hapur është një mënyrë më e lehtë, më e shpejtë dhe natyrale për ta freskuar sesa larja në rrobalarëse. Nxehtësia e diellit ndihmon që mbushja të bëhet e butë dhe e ajrosur, era e freskon edhe më shumë pëlhurën”, shpjegon ajo.

Rrezet ultravjollcë të diellit veprojnë si dezinfektues natyral, ndihmojnë në largimin e aromave të pakëndshme e mund t’i zbusin disa njolla. Për një rezultat edhe më të mirë, jorganin mund ta spërkatni lehtë me freskues për tekstile, përpara se ta lini për disa orë në ajër të pastër.

Si t’i hiqni njollat e verdha nga jastëkët?

Njollat e verdha në jastëkë krijohen nga djersa, yndyrat natyrale të lëkurës, kremrat e fytyrës dhe produktet për flokët.

Lynsey Crombie rekomandon përdorimin e peroksidit të hidrogjenit, që ka veprim dezinfektues e ndihmon në shpërbërjen e njollave organike.

Procedura:

Spërkatini mirë njollat me peroksid hidrogjeni.

Lëreni të veprojë për të paktën 15 minuta.

Fërkojini butësisht pjesët e ndotura me një furçë pak më të fortë.

Shpëlani me ujë.

Në rast se keni tharëse rrobash, thani jastëkun në të, në mënyrë që të bëhet sërish i butë dhe i ajrosur.

Në rast se e thani në mënyrë natyrale, vendoseni mbi sipërfaqen e rrafshët e ktheni, që të thahet në mënyrë të barabartë.

Jastëkët do të jenë më të freskët, më të pastër dhe më të këndshëm për gjumë, pa pasur nevojë për pastrim të kushtueshëm kimik. /nzoom.biz/

LAJMET E FUNDIT
Related news