Njerëzit me të cilët ndërveprojmë kanë ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien tonë psikologjike dhe emocionale.
Ata mund të jenë burimi ynë më i madh i mbështetjes, qoftë familja apo miqtë e ngushtë, shkruan nzoom.biz.
Lidhjet familjare luajnë një rol kyç në krijimin e marrëdhënieve të qëndrueshme dhe të shëndetshme, duke ofruar mjedis ku lidhjet jo vetëm zhvillohen, por edhe forcohen me kalimin e kohës.A është më mirë të jetosh vetëm?
Në ditët e sotme, të jetosh vetëm shpesh shihet si një shenjë pavarësie dhe suksesi personal.
Për shumë njerëz, kjo mënyrë jetese përfaqëson lirinë dhe kontrollin mbi jetën e tyre.
Megjithatë, kjo perspektivë shpesh neglizhon një element thelbësor: marrëdhëniet njerëzore. Të jetosh me të tjerë, sidomos me njerëz të afërt, krijon më shumë mundësi për lidhje emocionale dhe mbështetje të përditshme, të cilat janë thelbësore për lumturinë.
Çka thonë studimet për lumturinë?
World Happiness Report, i publikuar që nga 2012 që analizon të dhëna nga mbi 140 vende, ka nxjerrë një përfundim interesant: familjet më të lumtura zakonisht kanë një numër të caktuar anëtarësh.
Nivelet më të larta të lumturisë gjenden në familje me katër anëtarë. Në këto familje, njerëzit raportojnë marrëdhënie më të forta dhe më të kënaqshme. Këtë ide e mbështet edhe një studim afatgjatë i Harvard University, i cili zgjati mbi 80 vite dhe arriti në përfundimin se marrëdhëniet e ngushta, më shumë se paratë apo fama, janë çelësi i një jete të lumtur.
Pse “4” konsiderohet numri ideal?
Ekspertët shpjegojnë se një familje shumë e vogël mund të kufizojë lidhjet emocionale, duke rritur ndjenjën e vetmisë. Nga ana tjetër, një familje shumë e madhe mund të sjellë stres dhe barrë financiare.
Me pak fjalë, balanca është çelësi. Sipas Spencer James nga Universiteti Brigham Young, një familje me katër ose pesë anëtarë krijon një rrjet natyral mbështetjeje emocionale dhe praktike.
“SHUMË DUAR NDAJNË PËRGJEGJËSITË DHE KRIJOJNË NJË NDJENJË BASHKËPUNIMI,” THEKSON AI.
Familjet po bëhen gjithnjë e më të vogla
Megjithatë, realiteti po ndryshon. Madhësia mesatare e familjes është në rënie, duke u zvogëluar gradualisht me kalimin e dekadave. Numri mesatar i fëmijëve për familje ka rënë ndjeshëm krahasuar me dekadat e kaluara.
Pavarësisht kësaj, ekspertët theksojnë se nuk është vetëm numri ai që ka rëndësi, por cilësia e marrëdhënieve.
Edhe lidhjet jashtë familjes tradicionale, si miqësitë apo bashkëjetesa me të tjerë, mund të jenë po aq të rëndësishme për lumturinë. /nzoom.biz/

