Luftëtari shqiptar Gjoni Palokaj do të zhvillojë duelin më të rëndësishëm të karrierës së tij, teksa më 11 korrik në eventin OKTAGON 91 në Këln do të përballet me kampionin e peshës pendël, Machaev, në një përballje për titull.
Meçi pritej të zhvillohej më herët, por ishte shtyrë për shkak të një lëndimi të Palokajt, shkruan nzoom.biz.
Sfida është rikthyer në program dhe pritet të zhvillohet para mijëra tifozëve në Lanxess Arena, ku janë shitur të gjitha biletat.
Palokaj, me prejardhje nga Velezha e Prizrenit dhe i rritur në Gjermani, hyn në këtë përballje në një formë të shkëlqyer.
Ai është i pamposhtur në organizatën OKTAGON, me tetë fitore radhazi, ndërsa rekordi i tij profesional është 13 fitore dhe 3 humbje.
Përballë tij do të jetë kampioni Machaev, luftëtari austriak me origjinë çeçene, i cili do të mbrojë për herë të parë titullin e fituar këtë vit pas një nokauti në raundin e parë ndaj Niko Samsonidse.
Për Palokajn, kjo sfidë paraqet një mundësi historike për të fituar një nga titujt më prestigjiozë të MMA-së në Evropë dhe për të shkruar një kapitull të ri në karrierën e tij sportive.
Luftëtari shqiptar njihet për disiplinën, qetësinë dhe përgatitjen taktike në kafaz, ndërsa paraqitjet e tij shpesh shoqërohen me simbole të identitetit shqiptar, duke hyrë në ring me këngë patriotike dhe duke festuar me flamurin kombëtar.
Sfida ndaj Machaev pritet të jetë një nga përballjet kryesore të mbrëmjes së OKTAGON 91 dhe një moment vendimtar në karrierën e Gjoni Palokajt. /nzoom.biz/

