Një ngritje në detyrë shihet si një sukses i madh profesional, një shpërblim për punën dhe përkushtimin.
Por, rritja e përgjegjësive mund të sjellë pasoja të padëshiruara, si stres i vazhdueshëm, lodhje dhe humbje të motivimit.
Ekspertët e quajnë këtë fenomen “djegie (burnout) nga ngritja në detyrë”, një gjendje ku dëshira për të avancuar në karrierë dhe presioni për të përmbushur pritshmëritë e reja çojnë në lodhje fizike dhe mendore.
Lodhja profesionale lidhet me stresin e shtuar, sidomos kur kërkesat rriten, mbështetja ose shpërblimi s’janë në të njëjtin nivel.
Ajo shfaqet përmes mungesës së energjisë, humbjes së interesit për punën dhe ndjenjës se përpjekjet nuk kanë më kuptim.
Disa nga shenjat kryesore që tregojnë se një ngritje në detyrë po ju çon drejt lodhjes së tepërt janë:
• Lodhje e vazhdueshme
Ndiheni pa energji gjatë gjithë ditës dhe as pushimi nuk duket se ju rikthen forcën.
• Probleme me gjumin
Mund të keni vështirësi për të fjetur ose të zgjoheni ende të lodhur, pavarësisht orëve të pushimit.
• Humbje motivimi
Detyrat që më parë ju entuziazmonin fillojnë të duken të vështira dhe pa kuptim.
• Shkëputje emocionale nga puna
Filloni të ndiheni indiferentë ndaj rezultateve ose më pak të lidhur me atë që bëni.
• Dyshime për aftësitë tuaja
Edhe pse keni arritur një pozicion më të lartë, mund të ndiheni të pasigurt ose sikur nuk jeni mjaftueshëm të mirë.
• Ndryshime në humor
Irritimi, mungesa e durimit a humbja e kënaqësisë në aktivitete që më parë ju sillnin gëzim janë sinjale paralajmëruese.
Ambicia nuk duhet të vijë në kurriz të mirëqenies personale. Vendosja e kufijve mes punës dhe jetës private, pushimi i mjaftueshëm dhe kërkimi i mbështetjes në ambientin profesional janë hapa të rëndësishëm për të shmangur lodhjen e tepërt.
Një ngritje në detyrë duhet të jetë një hap para në karrierë, jo një arsye për të humbur energjinë dhe kënaqësinë nga puna. /nzoom.biz/

