10 fraza që zbulojnë në kohë një partner manipulues

Jo çdo marrëdhënie e dëmshme fillon me sjellje të dukshme agresive.

Personi që në fillim shfaqet i kujdesshëm, i dashur dhe i sjellshëm, me kohën mund të tregojë një anë krejt tjetër të karakterit.

Një nga mënyrat për ta dalluar këtë ndryshim është t’i kushtohet vëmendje gjuhës që përdor gjatë debateve, mosmarrëveshjeve dhe situatave të përditshme.

Sipas psikologjisë, disa modele të përsëritura të komunikimit mund të jenë shenja të dhunës emocionale dhe manipulimit.

10 shprehje dhe sjellje në komunikim që nuk duhen anashkaluar:

1. TË FYEN DHE MË PAS E QUAN SHAKA

Përdor etiketime si: “Nuk kupton asgjë” ose “Je shumë budallaqe”. Kur kundërshtohet, përgjigjet se nuk ka qenë serioz.

2. TË KORRIGJON EDHE KUR NUK I KËRKOHET

Komenton vazhdimisht pamjen, veshjen apo vendimet e tua: “A do dalësh vërtet kështu?” Kritika paraqitet si këshillë, por synon të të bëjë të dyshosh te vetja.

3. PËRDOR GABIMET E TUA PËR TË ZHVLERËSUAR GJITHÇKA QË BËN

Një gabim i vetëm kthehet në argument për të vënë në dyshim aftësitë e tua: “Ti gjithmonë i prish gjërat”.

4. TË BËN TË NDIHESH E PAVLERË PA TË

Shprehje si “Pa mua nuk do të ishe askush” nuk janë deklarata dashurie, por përpjekje për të krijuar varësi emocionale.

5. E KUSHTËZON DASHURINË ME BINDJEN

Përdor fjali si: “Nëse më do, do ta bësh këtë për mua”. Kështu, një kërkesë personale shndërrohet në provë të dashurisë.

6. TË FAJËSON PËR REAGIMET E VETA

Në vend që të marrë përgjegjësi për mënyrën si sillet, thotë: “Ti më detyron të bërtas”. Në këtë mënyrë, përgjegjësia për sjelljen e tij kalon te personi tjetër.

7. TË AKUZON PA PROVA DHE KËRKON TË KONTROLLOJË TELEFONIN

Dyshimet për tradhti përdoren për të justifikuar kontrollin: “Nëse nuk ke asgjë për të fshehur, pse nuk ma jep telefonin?”

8. PËRDOR HESHTJEN SI NDËSHKIM

Pas një mosmarrëveshjeje ndërpret komunikimin, nuk u përgjigjet mesazheve dhe pret që personi tjetër të kërkojë falje, edhe kur nuk ka bërë asgjë të gabuar.

9. MOHON NGJARJE QË KANË NDODHUR

Kur i kujtohet një deklaratë apo veprim konkret, përgjigjet: “Këtë po e shpik”, “Nuk e kam thënë kurrë” ose “Ti i ekzagjeron gjërat”. Kjo sjellje mund ta bëjë tjetrin të dyshojë te kujtesa dhe perceptimi i vet.

10. E KTHEN ÇDO DEBAT TEK E NJËJTA ÇËSHTJE

Edhe kur diskutohet një problem i ri, biseda përfundon te një konflikt i vjetër. Çështja fillestare nuk zgjidhet kurrë dhe personi tjetër lodhet duke u justifikuar vazhdimisht.

Si duhet vepruar në këto raste?

Hapi i parë është të dallohet nëse bëhet fjalë për një episod të izoluar apo për një model sjelljeje që përsëritet. Një debat apo një shprehje e papërshtatshme nuk mjafton për të përcaktuar karakterin e dikujt. Megjithatë, fyerjet, kërcënimet, kontrolli dhe poshtërimi i vazhdueshëm nuk duhen normalizuar.

Vendosja e kufijve personalë, shmangia e debateve që kthehen në presion dhe kërkimi i mbështetjes nga njerëz të besuar janë hapa të rëndësishëm.

Në rastet kur marrëdhënia përfshin frikësim ose dhunë emocionale, këshillimi me një profesionist mund të ndihmojë në vlerësimin e situatës dhe përcaktimin e hapave të mëtejshëm.

Një marrëdhënie e shëndetshme nuk kërkon që njëri person të justifikojë vazhdimisht veten, të ketë frikë nga reagimet e tjetrit apo të heqë dorë nga dinjiteti për të ruajtur qetësinë. /nzoom.biz/

LAJMET E FUNDIT
Related news