Muzika, talenti dhe emocionet bashkohen në një skenë të vetme përmes festivalit “Akordet e Kosovës”, një ngjarje artistike që synon të promovojë vlerat muzikore, të mbështesë talentet e reja dhe të ruajë traditën e pasur të këngës shqiptare.
Pas tri edicionesh të njohura si “Festivali i Këngës në RTK”, këtë vit festivali vjen me një identitet të ri, duke marrë emrin “Akordet e Kosovës”, por duke ruajtur misionin e tij për të sjellë muzikë cilësore dhe për të krijuar një hapësirë ku arti dhe kultura takohen, shkruan nzoom.biz.
Për tri net me radhë, publiku do të ketë mundësinë të përjetojë performanca të veçanta, interpretime emocionuese dhe një atmosferë festive që bashkon breza të ndryshëm, nga fëmijët te të rriturit.
Nën drejtimin e Arta Avdiut, me kontributin artistik të Florent Boshnjakut dhe prezantimin nga Agron Krasniqi dhe Flaka Latifi, “Akordet e Kosovës” vjen si një tjetër dëshmi e përkushtimit për zhvillimin e skenës muzikore në vend.
Ky festival nuk përfaqëson vetëm një garë apo një prezantim muzikor, por një mundësi për të promovuar identitetin kulturor, për të zbuluar zëra të rinj dhe për t’i dhënë hapësirë muzikës që mbetet pjesë e kujtesës sonë kolektive.
n’ZOOM në insertin e mëposhtëm ju informon për detjet tjera. /nzoom.biz/

