spot_img
13.4 C
Pristina
10/10/2024

Kapet 31 vjeçari: Mashtroi vipat e TikTok’ut dhe u mori 95 mijë euro, rastin e lajmëroi Vali Corleone

Një person me iniciale B.K u kap diku në Obiliq paraditen e së martës, pasi ishte në kërkim që nga tetori i vitit të shkuar, si i dyshuar për keqpërdorim të besimit të qytetarëve, duke kërkuar ndihmëmateriale, gjoja se për një të sëmurë.

Rasti ishte lajmëruar në Stacionin Policor në Gjilan, nga një personazh i njohur jo vetëm në këtë qytet, Princ Valentino Corleone, i cili përmes internetit, apeloi për të grumbulluar mjete monetare, shkruan nzoom.biz.

Një rast fiktiv për mbledhjen e mjeteve financiare për shërimin e një të riu, i bëri bashkë ‘të fortit’ e TikTok, që mbledhin mjiëra persona në ‘livestream’.

Vali Corleone, reperi Fero, e dy personazhet tjera të njohura, Rasimi e Donzi, në tetor kishin rënë në grackën e një personi që ishte prezantuar me emrin, Armend Morina, i njëjti kërkoi nga njerëzit vullnetmirë të ndihmojnë vëllain e tij, për të cilin pretendonte se vuan nga leukemia akute.

Që nga fundi i muajit tetor e deri më sot, i dyshuari tjetër, kishte shijuar lirinë nga arratia.

Burimet e Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se B.K., 31-vjeçar, është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim e me urdhër të prokurorit, pas përfundimit të procedurave policore, i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Mashtrim’.

Po ashtu, brenda afatit ligjor, ndaj tij pritet që të merren veprimet tjera ligjore.

Por, si dyshohet të ketë ndodhur i gjithë rasti?

Një person i prezantuar si Armend Morina, për disa ditë bëri thirrje për ndihmë, pasi pretendonte që vëllai, Blerimi, vuan nga sëmundja e leukemisë akute dhe për shërimin e tij nevojiten 100 mijë euro.

Me të dëgjuar për rastin, ‘kingat e TikTok-ut’, ishin mbledhur në video me lidhje direkte dhe kishin arritur që brenda 24 orëve të arrijnë t’i grumbullojnë mbi 95 mijë euro.

Nga këto para, dyshohet se Armendi dhe personi që u arrestua sot, kanë përvetësuar hiç më pak se 18 mijë euro, gjërat kishin nisur të marrin kahje të dyshimtë pasi Armendi ishte ‘zhdukur’ dhe telefoni i tij nuk po funksiononte më.

Kjo kishte bërë që donatorët të shqetësohen e të ngrenë dyshime nëse paratë që mblodhën shkuan në vendin e destinuar. Pas denoncimit të rastit, kanë filluar hulumtimet prej të cilave është mësuar se në Klinikën e Hematologjisë, ku trajtohet leukemia akute, nuk kanë mundur të konfirmojnë një pacient me emrin Blerim Morina.

E as në qytetin prej të cilin pretendonin se vijnë dy vëllezërit Morina, askush nuk ishte në dijeni për ‘ekzistencën’ e tyre. /nzoom.biz/

LAJMET E FUNDIT
Related news