Më 23 nëntor 1992, IBM prezantoi për herë të parë prototipin e IBM Simon Personal Communicator në panairin COMDEX, një pajisje që historianët e teknologjisë e konsiderojnë si telefonin e parë inteligjent, 13 vjet para iPhone.
Projekti, i koduar “Angler”, u zhvillua në bashkëpunim me BellSouth dhe u dizajnua nga një ekip i IBM, përfshirë Frank J. Canova, shkruan nzoom.biz.
Simon kishte ekran LCD bardh e zi me prekje, procesor Vadem VG230 16 MHz, 1 MB RAM dhe ROM-DOS të modifikuar. Ai ofronte aplikacione si kalendar, orë, kalkulator dhe ishte telefoni i parë që dërgonte e merrte email, duke mbështetur edhe aplikacione shtesë.
Pajisja u lansua më 16 gusht 1994 në SHBA me çmim 1,099 dollarë dhe u shitën rreth 50,000 njësi. Prodhimi u ndërpre në fillim të vitit 1995 për shkak të çmimit të lartë, madhësisë dhe baterisë së dobët.
IBM Simon hodhi themelet e telefonave inteligjentë modernë, duke inspiruar më pas pajisje si Nokia 9000 Communicator dhe Palm Treo. Sot, ekzemplarët e rrallë shiten në ankand. /nzoom.biz/


