Irani drejt përjashtimit nga Botërori 2026, cila skuadër do e zëvendësojë?

Situata e tensionuar në Lindjen e Mesme po hedh hije edhe mbi futbollin ndërkombëtar.

Irani rrezikon seriozisht pjesëmarrjen në Kupën e Botës 2026, për shkak të zhvillimeve të fundit politike dhe ushtarake pas përshkallëzimit të konfliktit në rajon, ku janë përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli.

Prioriteti absolut, siç janë shprehur edhe vetë drejtues të sportit iranian, mbetet siguria dhe mbrojtja e jetëve njerëzore, ndërsa aktivitetet sportive kalojnë në plan të dytë.

Presidenti i Federatës Iraniane të Futbollit ka deklaruar se, në këto kushte, është e vështirë të flitet për futboll apo për pjesëmarrje në një turne madhor si Kupa e Botës, duke lënë të hapur mundësinë e një tërheqjeje ose përjashtimi të Iranit nga kompeticioni.

Ndërkohë, në pritje të një qëndrimi zyrtar nga Teherani dhe nga FIFA, organizatorët e turneut që do të mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada nga 11 qershori 2026, po shqyrtojnë skenarë alternativë për ruajtjen e balancës sportive.

Sipas informacioneve që qarkullojnë në ambientet sportive, kandidati kryesor për të zëvendësuar Iranin në Grupin G të Kupës së Botës 2026 do të ishte Iraku, i cili do t’i bashkohej Belgjikës, Zelandës së Re dhe Egjiptit. Në këtë rast, Emiratet e Bashkuara Arabe do të përfitonin nga ky ndryshim, duke zënë vendin e Irakut në ndeshjet e playoff-it ndërkontinental, ku parashikohen përballje me Bolivinë dhe Surinamin.

Megjithatë, çdo vendim përfundimtar pritet të merret vetëm pas vlerësimeve zyrtare e zhvillimeve politike, ndërsa futbolli mbetet në pritje të qartësimit të situatës. /nzoom.biz/

LAJMET E FUNDIT
Related news