Ish-kapiteni i Kombëtares, Lorik Cana, u dekorua sot më 13 prill, me titullin “Kalorës i urdhrit të Skënderbeut”, nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.
Legjendës kuqezi, titulli iu dha gjatë Samtimit të Diasporës, të mbajtur në Tiranë.Pas dekorimit, Cana u shfaq i lumtur, duke thënë se nuk e merr këtë titull në emrin e tij, por në emrin e familjes.
“Kur jemi përballë një paneli e kemi të mbledhur njerëzit tanë, që kanë spikatur, kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për ne. Kemi luajtur me stadiume plot me qindra milionë njerëz që na kanë parë. Unë nuk e pranoj vetëm në emrin tim, por në emrin e familjes sime. Babit, Agimit, gjyshërve të mi, Ganiut, xhaxhait tim, deri tek i gjithë. Ky brumë na ka shfrytëzuar. Ne kosovarët jemi detyruar të emigrojmë. Në këtë Samit të Diasporës, rikthehem si një shqiptar i Kosovës. Kemi emigruar dhe jemi munduar të bëjmë mirë, jo vetëm për familjarët, por jemi munduar të ngremë sa më shumë nderin dhe emrin e shqiptarëve. Kjo besoj se ka qenë krenaria më e madhe që unë kam përjetuar dhe familjarët e mi. Duke pasur një mjet si futbolli, kupton se përgjegjësia është e madhe. Unë kam 10 vite që jam në pension. Kur ia them këtë njerëzve, qeshin. Është një jetë e tërë, ku dashuria e kontributi për atdheun nuk mungon. Jemi munduar ta ngrejmë komunitetin tonë”, u shpreh Cana.

