Pse disa njerëz bëjnë vazhdimisht batuta thumbuese?

Pasiguria është një nga ato ndjenja që fshihet shumë mirë.

Ndonjëherë nuk shfaqet si turp, heshtje apo mungesë vetëbesimi, por krejt e kundërta, si shaka pa kripë, komente thumbuese dhe nevoja për të tallur vazhdimisht të tjerët, shkruan nzoom.biz.

Sipas psikologes Aimee Daramus, pasiguria maskohet si vetëbesim i ekzagjeruar.

Ajo shpjegon se njerëzit e pasigurt e kanë të vështirë të pranojnë kritikat apo të mos duken “perfektë”, ndaj shpesh përpiqen të ulin të tjerët për t’u ndjerë më mirë me veten.

Të njëjtën ide ndan edhe ekspertja e vetëbesimit Kasey Jones, e cila së fundmi foli për një tipar të zakonshëm që, sipas saj, fsheh pasiguri të thellë emocionale, nevoja për të bërë vazhdimisht komente ironike apo thumbuese ndaj të tjerëve.

“ATA NJERËZ QË KANË KOMENT TALLËS PËR DIKË TJETËR, SHPESH JANË PERSONAT QË LUFTOJNË MË SHUMË ME VETEN,” THA AJO.

Sipas Jones, shumë persona që duken “shpirti i festës”, që bëjnë të gjithë të qeshin apo që kanë gjithmonë një batutë sarkastike gati, në të vërtetë po përpiqen të largojnë vëmendjen nga pasiguritë e tyre.

Ajo thotë se një nga sjelljet më të zakonshme të njerëzve të pasigurt është kthimi i talljes në pjesë të personalitetit të tyre.

Ata komentojnë zgjedhjet, sjelljet a pamjen e të tjerëve e përdorin humorin si mënyrë për të shmangur vëmendjen ndaj vetes.

Sipas saj, njerëzit që ndihen vërtet mirë me veten nuk kanë nevojë të flasin keq për të tjerët, të bëjnë thashetheme apo të përdorin sarkazmën për të fituar vëmendje.

“NJERËZIT ME VETËBESIM TË VËRTETË NUK KËNAQEN DUKE ULUR TË TJERËT,” THOTË AJO.

Ekspertët theksojnë se vetëbesimi i shëndetshëm nuk lidhet me dominimin apo me nevojën për të qenë gjithmonë “më interesanti në dhomë”, por me mënyrën se si ndihemi për veten tonë.

Kur dikush është në paqe me veten, nuk ndien nevojën të kritikojë, të tallë apo të ekspozojë dobësitë e të tjerëve për t’u ndjerë më mirë.

Edhe psikoterapistja Christina Steinorth-Powell thekson se një person emocionalisht i sigurt nuk e ndërton vetëvlerësimin duke ulur të tjerët.

Sipas saj, mirësia dhe empatia janë shpesh shenjat më të forta të vetëbesimit të vërtetë.

Në fund, ekspertët bien dakord për një gjë, njerëzit më të sigurt nuk janë domosdoshmërisht ata që flasin apo bëjnë më shumë humor, por ata që arrijnë të jenë të sjellshëm, si me veten, ashtu edhe me të tjerët. /nzoom.biz/

LAJMET E FUNDIT
Related news