Elon Musk ka humbur përkohësisht statusin e “trilionerit”, pasi aksionet e kompanive të tij SpaceX dhe Tesla kanë pësuar rënie të ndjeshme gjatë kësaj jave.
Sipas indeksit ditor të Bloomberg për miliarderët, pasuria neto e Musk ka rënë në rreth 957 miliardë dollarë, nga nivelet më të larta të arritura më herët gjatë muajit, shkruan nzoom.biz.
Ai ishte bërë personi i parë në botë që kishte kaluar kufirin e 1 trilion dollarëve, pas debutimit të SpaceX në bursë, ku vlerësimi i kompanisë kishte arritur përkohësisht mbi 2 trilion dollarë, duke e çuar pasurinë e tij mbi 1.1 trilion dollarë.
Megjithatë, aksionet e SpaceX kanë qenë të paqëndrueshme, duke humbur një pjesë të fitimeve të mëparshme. Rënia është ndikuar edhe nga volumi i ulët i tregtimit, që ka sjellë luhatje të forta në çmim.
Në të njëjtën kohë, aksionet e Tesla-s kanë rënë me gati 5.8%, në një periudhë presioni më të gjerë në sektorin e teknologjisë, teksa investitorët po rishikojnë vlerësimet e tregut mes pritjeve për rritje të normave të interesit në SHBA.
Pavarësisht rënies, Elon Musk mbetet ende personi më i pasur në botë, i ndjekur nga bashkëthemeluesit e Google, Larry Page dhe Sergey Brin, si dhe themeluesi i Amazon-it, Jeff Bezos. /nzoom.biz/

