Larja e dhëmbëve është një zakon që shumica prej nesh e bëjnë çdo mëngjes pa u menduar dy herë.
Por sipas dentistëve, nuk ka rëndësi vetëm nëse i lani dhëmbët, por edhe kur e bëni këtë, shkruan nzoom.biz.
Momenti i duhur ndikon jo vetëm në shëndetin e gojës, por edhe në mirëqenien e përgjithshme.
Studimet tregojnë se shëndeti oral lidhet ngushtë me shëndetin e zemrës, trurit, mushkërive dhe madje edhe me uljen e rrezikut për diabet. Kjo është arsyeja pse ekspertët këmbëngulin që rutina e mëngjesit të mos bëhet robotikisht.
Lani dhëmbët para mëngjesit, jo pas
Nëse i lani dhëmbët një herë në mëngjes, dentistët rekomandojnë ta bëni sapo të zgjoheni, përpara se të hani ose pini diçka.
Gjatë natës, prodhimi i pështymës bie ndjeshëm, duke krijuar kushtet ideale që bakteret dhe pllaka bakteriale të grumbullohen mbi dhëmbë. Larja pas zgjimit largon bakteret e ndihmon në parandalimin e kariesit dhe problemeve me mishrat e dhëmbëve.
Një tjetër arsye është pasta e dhëmbëve. Fluori dhe mineralet që ajo përmban krijojnë një shtresë mbrojtëse mbi dhëmbë, e cila i mbron nga acidet e ushqimeve apo pijeve që konsumoni në mëngjes.
Po pas mëngjesit?
Nëse doni t’i lani sërish dhëmbët pas mëngjesit, duhet të prisni të paktën 30 minuta, sidomos nëse keni pirë kafe, lëng portokalli apo keni ngrënë ushqime acidike. Arsyeja?
Acidet e zbusin përkohësisht smaltin e dhëmbëve dhe larja menjëherë pas ngrënies mund ta dëmtojë atë.
Nëse ndieni nevojën për freski pas kafes ose mëngjesit, dentistët sugjerojnë të shpëlani gojën me ujë ose me një shpëlarës pa alkool, në vend që të përdorni menjëherë furçën.
A duhet t’i lani edhe pas drekës?
Për shumicën e njerëzve, larja dy herë në ditë, në mëngjes dhe para gjumit, është e mjaftueshme.
Megjithatë, një larje shtesë pas drekës mund të jetë e dobishme nëse:
keni prirje për karies ose probleme me mishrat e dhëmbëve;
keni ngrënë ushqime shumë të ëmbla, ngjitëse ose acidike;
mbani aparat ortodontik ose aligners;
nuk do të keni mundësi të lani dhëmbët për shumë orë.
Si t’i lani siç duhet?
Edhe teknika ka po aq rëndësi sa koha. Përdorni fill dentar para larjes. Lani dhëmbët për plot 2 minuta, jo vetëm 30-40 sekonda. Mbani furçën në një kënd rreth 45 gradë drejt mishrave të dhëmbëve.
Mos ushtroni shumë presion, pasi mund të dëmtoni smaltin dhe mishrat. Mos harroni të pastroni edhe gjuhën.
Pas larjes, pështyni pastën, por mos e shpëlani me ujë, në mënyrë që fluori të veprojë më gjatë. Ndërroni furçën ose kokën e furçës elektrike çdo 3 muaj. Rutina ideale, është e thjeshtë: lani dhëmbët sapo zgjoheni, përsëri para gjumit dhe përdorni fill dentar çdo ditë.
Mund të duket një zakon i vogël, por ndikimi i tij shkon shumë përtej një buzëqeshjeje të bukur. Ai është investim afatgjatë për shëndetin e gjithë organizmit. /nzoom.biz/

