Kjo është mënyra më e mirë për të menaxhuar shpërthimet e fëmijëve

Shumë prindër e kanë përjetuar këtë skenë: i kërkojnë fëmijës të vijë për të ngrënë darkë, të mbyllë tabletin ose të bëjë detyrat dhe, papritur, ai shpërthen në të qara.

Reagimi duket i ekzagjeruar dhe pyetja që lind është e njëjta: “Çfarë thashë gabim?” Sipas psikologëve, përgjigjja shpesh nuk gjendet te fjalët, por diku tjetër.

Psikologu klinik Lawrence J. Cohen shpjegon se prindërit priren të përqendrohen te momenti kur fëmija humbet kontrollin, ndërkohë që ai është vetëm fundi i një procesi.

Fillimisht ndodh një stimul, më pas sistemi nervor i fëmijës mbingarkohet dhe vetëm në fund shfaqet shpërthimi emocional.

Në atë moment, përpjekjet për ta bindur me logjikë nuk funksionojnë, sepse truri i tij nuk është më në gjendje të arsyetojë.

Ka edhe një detaj tjetër që kalon pa u vënë re: fëmijët s’reagojnë vetëm ndaj asaj që dëgjojnë, por dhe ndaj asaj që shohin te prindërit.  Tensioni në fytyrë, nofulla e shtrënguar, supet e ngritura apo frymëmarrja e shpejtë mund t’u transmetojnë atyre ankth, edhe nëse prindi flet me një ton të qetë.

Ekspertët e quajnë këtë proces bashkërregullim emocional (co-regulation). Para se të mësojnë të menaxhojnë emocionet e tyre, fëmijët “marrin hua” qetësinë ose stresin e të rriturve. Me fjalë të tjera, sistemi nervor lexon gjendjen emocionale të prindit shumë më shpejt sesa kupton fjalët që ai thotë.

Psikologët sugjerojnë që prindërit të mos jenë si termometër që reflekton emocionet e momentit, por si termostat që ruan qetësinë kur situata nxehet. Kur prindi arrin të rregullojë emocionet e veta, edhe fëmija ka më shumë gjasa të qetësohet.

Studime të ndryshme në psikologji tregojnë se ndryshime të vogla në mënyrën se si reagojnë prindërit mund të kenë ndikim të madh në sjelljen e fëmijëve. Nuk është e nevojshme të ndryshohet personaliteti i tyre brenda natës, mjafton që një situatë e vetme të menaxhohet ndryshe për të ndryshuar dinamikën mes prindit dhe fëmijës.

Mesazhi i ekspertëve është i qartë: kur një fëmijë shpërthen, përpara se të pyesni “Çfarë bëra gabim?”, ndaloni për një moment dhe shikoni gjendjen tuaj emocionale. Shpesh, qetësia që fëmija ka nevojë të gjejë, fillon pikërisht nga prindi. /nzoom.biz/

LAJMET E FUNDIT
Related news