Po kërkon punë? Këto 8 shprehje në njoftim mund të jenë shenja të këqija

Kur kërkon një vend të ri pune, zakonisht këshillat për atë që duhet ose nuk duhet të bësh i drejtohen kandidatit.

Por, edhe punëdhënësit mund të japin sinjale të qarta përmes mënyrës se si e përshkruajnë një pozicion.

Disa shprehje që duken pozitive në një njoftim pune mund të jenë në fakt shenja paralajmëruese për një ambient stresues, mungesë mbështetjeje ose përgjegjësi që shkojnë përtej asaj për të cilën paguhesh.

Një sondazh nga StandOut CV, ku morën pjesë 1092 persona, zbuloi shprehjet që kandidatët i konsiderojnë më shqetësuese.

1. “MENDËSI FITUESI”

Në pamje të parë tingëllon motivuese, por nënkupton se kompania pret që punonjësit të japin gjithçka, edhe kur kjo do të thotë të punojnë përtej orarit dhe përgjegjësive të tyre. Kjo mund të shoqërohet me mbingarkesë e pagesë jo të mjaftueshme.

2. “PUNË ME RITËM TË LARTË”

Kjo shprehje mund të jetë një mënyrë elegante për të thënë se do të punosh shumë, nën presion dhe me pak kohë për të marrë frymë. Nëse një kompani e thekson vazhdimisht ritmin e lartë, ia vlen të pyesësh se si duket realisht një ditë pune aty.

3. “PUNO FORT, ARGËTOHU SHUMË”

Mund të tingëllojë si një kulturë pune fantastike, por fshihet pas saj ideja se puna është jashtëzakonisht kërkuese dhe se punonjësit duhet të jenë gjithmonë të gatshëm të japin më shumë.

4. “DO TË MBASH SHUMË ROLE”

Kjo mund të jetë mënyra e kompanisë për të thënë se do të bësh shumë më tepër sesa përshkruhet në pozicion. Në vend që të kesh një rol të qartë, mund të përfundosh duke marrë përsipër detyra të departamenteve të tjera pa pagesë shtesë.

5. “SHPIRT SIPËRMARRËS”

Në një njoftim pune, kjo mund të nënkuptojë se pritet të zgjidhësh gjithçka vetë. Mund të të ngarkojnë me projekte që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me rolin tënd dhe të presin që të gjesh vetë mënyrën për t’i përfunduar.

6. “I AFTË TË MARRËSH NISMA”

Të jesh i pavarur është cilësi e mirë, por kjo shprehje mund të nënkuptojë se trajnimi do të jetë minimal ose inekzistent. Pra, sapo të fillosh punë, mund të presin që të kuptosh gjithçka vetë.

7. “LOJTAR SKUADRE”

Të dish të punosh me të tjerët është e rëndësishme, por kjo shprehje merr kuptim tjetër nëse përdoret për të kërkuar që punonjësit të pranojnë çdo vendim. Një ambient i shëndetshëm duhet t’i lejojë njerëzit të shprehin mendimet e tyre.

8. “PROAKTIV”

Një punonjës proaktiv është i vlefshëm, por në disa raste kjo fjalë mund të nënkuptojë: “Zgjidhi vetë problemet, sepse nuk do të kesh shumë ndihmë.” Nëse mungon trajnimi dhe mbështetja, iniciativa personale mund të kthehet shpejt në mbingarkesë. /nzoom.biz/

 

LAJMET E FUNDIT
Related news